21 Dhjetor, 2024 - 1:30 pm
Në “Kishën e Manastirit të Shpërfytyrimit” në fshatin Çatisë bashkia Dropull, monument kulture, kategori I ka nisur puna për restaurimin e saj.
Ky restaurim do të kryhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
DRTK Gjirokastër bëri të ditur se “ndërhyrja do të konsistojë në restaurimin e këmbanares, të një pjese të çatisë, pastrimi i bimësisë dhe rrethimi i Kishës si dhe punime për zëvendësimin apo restaurimin e pllakave të brendshme të sheshit në naos apo narteks”.
Naosi është ndërtuar në vitin 1584 dhe është pikturuar në vitin 1622 nga piktor Mihali nga Linotopi.
Është njënefeshe, triapsidal me përmasa të brendshme 8,50 x3,20 m. Hapësira e naosit ndahet në tri pjesë nga të cilat dy anësoret lindore dhe perëndimore janë të mbuluara me qemere cilindrike me formuese paralele me aksin gjatësor, ndërsa pjesa qendrore mbulohet me qemer cilindrik në drejtimin tërthor, i cili ngrihet mbi qemeret gjatësorë.
Struktura e brendshme pasqyrohet dhe në kompozimin volumor të jashtëm. Pjesa qendrore ngrihet në formë volume prizmatik të mbuluar me çati dy ujëshe dhe e përshkon çatinë në drejtimin tërthor, duke krijuar edhe në mbulesë formën e kryqit.
Në anën perëndimore naosi i bashkëngjitet narteksit, ndërtim i vitit 1627. Narteksi ka planimetri në formë katrori me përmasa të brendshme 3,40 x3,20 m. Në katër qoshet dalin pilastra, të cilat lidhen ndërmjet tyre me harqe duke krijuar një bërthamë katrore të mbuluar me kupolë që ngrihet mbi një tambur të lartë./ KultPlus.com