Nis restaurimi tërësor i Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës

12 Dhjetor, 2024 - 2:03 pm

Teatri i qytetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, bëri me dije se ka filluar puna për restaurimin tërësor të godinës së tij.

Në sajë të këtij rikonstruksioni godina do të rigjenerohet si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana arkitektonike, si dhe do të ofrojë kushte dhe mundësi më të mira pune për stafin teatral, punonjësit e qendrës dhe artistët që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë.

Pas restaurimit kjo qendër do të ketë ambiente moderne për zhvillimin e aktiviteteve artistiko-kulturore për qytetin e Durrësit si dhe do të ofrojë një shërbim edhe më cilësor për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që do ta frekuentojnë atë.

Pas 1 muaji, ky teatër do të kremtojë 72-vjetorin e themelimit (11 janar 1953). Në fillimet e tij ky teatër kishte një trupë me 14 aktorë dhe këta veteranë që përbënin këtë trupë ishin emra të njohur si Nikolin Xhoja, Koste Lezha, Meropi Xhoja, Lazër Murati, Teodor Rupi, Todi Thanasi, Spiro Urumi, Vera Urumi, Ferial Alibali etj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme