19 Gusht, 2024 - 1:39 pm
Ditën e sotme ka nisur edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare, me ç’rast është shënuar edhe përvjetori i 50-të i Seminarit të Albanologjisë.
Përgjatë këtij seminari, do të zhvillohen aktivitete të shumta, ku përveç tryezave shkencore, janë organizuar edhe vizita në Prekaz, ekskurzione, shfaqje të filmave e shumë ngjarje të tjera, për të gjithë pjesëmarrësit.
Në hapjen e kësaj ngjarje, drejtori i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, tregoi për sfidat që ka kaluar organizimi i seminarit ndër vite.
“Më lejoni të iu them se është seminari me traditën më të gjatë në hapësirat shqiptare. Para 50 vitesh, në fillim kur qendra e studimeve për të huaj mori këtë emër që ka edhe sot, ishin shumë burra hijerëndë që ishin ulur në radhë të pare të amfiteatrit të Fakultetit Filozofik, aspak të lumtur që ndiqnin fjaët e rektorit Idriz Ajeti dhe kërkonin ndonjë gabim që të sulmonin në ndonjë mbledhje partie”, u shpreh Kraja për fillimet e Seminarit.
Ndërsa, drejtori i Seminarit, profesori Bardh Rugova ka çmuar kontributin e akademikut Rexhep Ismajli si themeluesi i Seminarit, duke thënë se ai ka bërë të hapen dyert e albanologjisë në piedestal botëror.
Kurse, Qerim Qerimi, i cili është rektor i Universitetit të Prishtinës, tha se në Kosovë e në Shqipëri na duhet një frymë e përbashkët zhvillimi dhe vizioni për dijen në përgjithësi, e sidomos për albanologjinë. Ndaj në pesë dekadat e ardhshme e më tutje, ky bashkëpunim duhet forcuar.
I pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“I nisur me nisma si hartimi i tekstit të mësimit të gjuhës shqipe për të huaj, sot ky seminar nën ombrellën e tij trajton jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe letërsinë dhe gjithë kulturën shqiptare. Kjo përgjegjësi e zgjeruar dhe shumë e nevojshme vjen edhe si testament i rrugëtimit të vështirë që seminari pati ndër vite e dekada”, ka deklaruar Çeku.
Tutje, ai tha se që kur Idriz Ajeti ka themeluar Seminarin, tash për 50 vite dhe 22 edicione, Seminari ka afirmuar gjuhën shqipe. Ai tregoi se në vitin 1981 u pamundësua mbajtja e Seminarit për shkak të përgjigjes së regjimit serb ndaj demostratave të atij viti, kur u mbyll edhe Universiteti.
Një tryezë e veçantë gjatë ditëve të Seminarit do t’i kushtohet veprës letrare të kolosit shqiptar, tashmë të ndjerë, Ismail Kadare.
Organizatorët kanë bërë të ditur se sivjet të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt./KultPlus.com