Nis sot në Shkodër Festivali Mbarëkombëtar i Humorit, Beci takon trupën e aktorëve

11 Dhjetor, 2024 - 3:11 pm

Shkodra ngre siparin për herë të parë të Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit, një ngjarje që pritet të kthehet në traditë dhe të sjellë buzëqeshje për të gjithë adhuruesit e artit dhe humorit.

Festivali Mbarëkombëtar i Humorit po pritet me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku shkodran, ndërsa një vëmendje të veçantë i ka kushtuar këtij eventi qytetari i parë i Shkodrës, Benet Beci.

Kryetari i bashkisë Benet Beci ka takuar trupën e aktorëve të Shkodrës duke i siguruar për mbështetjen në këtë festival, i cili pritet të ketë një sukses të jashtëzakonshëm, duke parë edhe interesin e lartë të publikut.

Gjatë datave 11-15 dhjetor, çdo natë, Teatri “Migjeni” do të shndërrohet në epiqendrën e të qeshurave dhe kreativitetit artistik, duke mbledhur emrat më të njohur të humorit nga e gjithë Shqipëria.

Shkodra, si djepi i kulturës dhe humorit shqiptar, rikujton me këtë festival rolin e saj të rëndësishëm si një qendër e artit kombëtar. Ky event është një mundësi për të përjetuar jo vetëm të qeshura, por edhe për të festuar traditën e humorit që ky qytet e ka të rrënjosur thellë në identitetin e tij./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme