25 Janar, 2025 - 12:00 pm
Të hënën nis Java Kulturore Zvicerane 2025.
Java do të çelet me një event të hënën pasdite te Piramida e Tiranës, Kubi i Gjelbër, me pjesëmarrjen e ambasadores së Zvicrës Ruth Huber; zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Lira Pipa, menaxherit të projektit të Fondit Kulturor Zviceran, Kleidi Eski si dhe artistë interpretues.
Ndër eventet kryesore të kësaj jave është performanca muzikore “Muzikë për njerëz të thyer”, që është një vepër e programuar e përbërë nga disa pjesë muzikore. Çdo pjesë, nëpërmjet performancës së orkestrës, rrëfen rrugëtimin e errët të diktaturës komuniste në Shqipëri nga viti 1945, deri në vitin 1990.
Në ditën në vijim, një bashkëbisedim i hapur do të trajtojë censurën e muzikës klasike gjatë regjimit komunist, me fokus kompozitorët që rrezikuan përndjekjen, me dr. Mikaela Minga dhe kompozitorin Mardit Lleshi në panel.
Performanca muzikore “Muzikë për njerëz të thyer” do të mbahet më 28 janar ora 19:00 Salla Tonin Harapi, Liceu Artistik i Tiranës dhe 29 janar, ora 18:00 në Destil Creative Hub.
Një tjetër event është “Mbi peizazhe uji”. Frymëzuar nga forca primare e etjes, “Mbi peizazhe uji” nga Gentian Doda është një performancë kërcimi bashkëkohor që eksploron aspekte simbolike dhe emocionale të ujit. Nëpërmjet lëvizjes, ajo pasqyron fluiditietin, ripërtëritjen dhe thelbin transformues të ujit, duke mishëruar tensionin midis fuqisë dhe brishtësisë.
Performanca do të vijohet nga një bashkëbisedim me artistët e was bleibt kolektiv | Gentian Doda dhe Gökhan Tuncer (drejtor i Heinrich Böll Stiftung Tirana), mbi procesin krijues të “Mbi peizazhe uji” dhe lidhjen e tij me çështjet sociale të ujit të pijshëm dhe barazisë së ujit në Shqipëri.
Performanca do të shfaqet më 29 janar, ora 19:00 te Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Ekspozita Zanat është një kolektiv arti që fuqizon studentet e reja për të zhvilluar aftësitë e dizajnit përmes punëtorive dhe mentorimit.
Aktiviteti inaugurues i kolektivit përmban një prezantim të Zines nga Zanat dhe një ekspozitë ilustrimesh, duke shfaqur trakte që trajtojnë pabarazinë gjinore. Me humor, sarkazëm dhe shkrim të mprehtë, projekti frymëzon reflektim dhe mbrojtje sociale.
Ky prezantim vjen pas një bashkëbisedimi të organizuar në nëntor 2024 me gra krijuese sipërmarrëse, mbi çështjet e përfaqësimit të grave në industritë kreative.
Zanat do të çelet më 30 janar ora 18:00 në sallën e ekspozitave Studio Luce, Rr. Kosovarëve./ KultPlus.com