Nisi edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar “EURO KOSOVA ART”

24 Shtator, 2024 - 2:14 pm

Mbrëmë, në një ceremoni solemne, në prani të krijuesve, artistëve, përfaqësuesve shtetërorë, etj, u bë hapja e Festivalit Ndërkombëtar “EURO KOSOVA ART”, edicioni i 13-të, me temën “Kosova ime e bukur”.

Organizatori i këtij festivali, Muhamet Ahmeti-Metis, në fjalën e tij hyrëse, tha se në këtë manifestim kulturor po marrin pjesë 35 artistë të njohur nga 14 shtete të botës. Ky edicion është shumë i ngjeshur me aktivitete të ndryshme, siç janë vizitat në vende të trashëgimisë kulturore të Kosovës, debate, tryeza, etj,  për t’i realizuar veprat e tyre artistike me temën “Kosova ime e bukur”.

Këto vepra do t’i shihni në ekspozitën kolektive, që do të mbahet në FLORI GALLERY në Prishtina Mall, me datë 28 shtator 2024, duke filluar nga ora 19:00.

Ndërsa, nënkryetari i komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ceki se në këtë festival artistët tanë krijojnë njohje dhe bashkëpunime me artistët ndërkombëtarë. Sa më shumë që organizohen festivale të tilla është në të mirën e vendit tonë.

Në hapje e këtij edicioni u paraqitën edhe disa pika skenike nga aktorët e Kosovës.

Kjo ceremoni u organizua në ambientet e Holiday Resort – “Buquku”, në Sllatinë.

Sponsor i Festivalit Ndërkombëtar “EURO KOSOVA ART” edicioni i 13-të janë: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Prishtinës. Gjithashtu festivalin e përkrahën edhe Flori Gallery në Prishtina Mall dhe Stone Castle nga Rahoveci.

Festivali do të jetë i hapur nga 22- 29 shtator 2024./KultPlus.com

Të ngjajshme