9 Shtator, 2024 - 3:09 pm
Instituti Albanologjik i Prishtinës nisi edicionin e 15-të të “Javës së Albanologjisë”, duke mbledhur më shumë se 90 studiues në sesionet e gjuhësisë, letërsisë, historisë, etnologjisë, folkloristikës dhe etnomuzikologjisë. Për tri ditë, ata do të paraqesin punime që pritet të pasurojnë ndjeshëm këto fusha studimore.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministrja Nagavci, profesorë e albanologë. Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë historike të albanologjisë në ndërtimin e vetëdijes kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. Ai rikujtoi kontributin e rilindësve shqiptarë, të cilët shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë për të forcuar identitetin kombëtar.
Java e Albanologjisë shërben si një platformë e rëndësishme për të nxitur diskutime të thella dhe për të promovuar studime të reja në fushën e albanologjisë. Kjo ngjarje kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kulturës dhe shkencës sonë, duke forcuar lidhjet mes studiuesve dhe institucioneve akademike./ KultPlus.com