15 Shtator, 2023 - 5:11 pm
Në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një ditë me kuratorin”, me nxënësit e “Shkollës Ekonomike”. Kuratori i pavijonit u foli nxënësve rreth objekteve të pavijonit të lashtësisë. Gjithashtu, u mësoi disa nga teknikat e bërjes së guidës.
Tema e këtij viti në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë i referohet praktikave, dijebërjes dhe aftësive të trashëguara brez pas brezi dhe të sjella deri në ditët tona. Tërësia e aftësive, zanateve dhe profesioneve shërbejnë për të mbajtur gjallë trashëgiminë nga brezi në brez në mënyra të ndryshme.
Tema e vitit 2023 mundëson evidentimin e punës që mban gjallë trashëgiminë në ditët e sotme falë njerëzve që transmetuan dijebërjen dhe siguruan vazhdimësinë e saj.
Kjo veprimtari synon bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta. Ky bashkëpunim do të sjelli më afër objektin me nxënësit apo studentët. Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar, organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.
Cikli “Një ditë me kuratorin” synon të përforcojë bashkëpunimin e muzeut me publikun e gjerë, të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën./KultPlus.com