11 Shkurt, 2023 - 7:31 pm
Trendi i rritjes së numrit të vajzave në drejtimet e shkencave dhe inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Prishtinës është, jo vetëm në rritje të vazhdueshme, por edhe në ngritje në vlera shumë substanciale, si gati në asnjë universitet tjetër.
Ndonëse përqindja e vajzave që studiojnë shkenca kompjuterike kudo në botë është e vogël, në një shtet gjeografikisht “të vogël” si Kosova, trendi i të rejave që synojnë karrierë në shkenca dhe inxhinieri kompjuterike—në të kaluarën, të perceptuara kryesisht si “drejtime të meshkujve”—ka shënuar rritje vit për vit, në dekadën e fundit.
Në UP, në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, 50.7% e studentëve janë vajza, ndërkaq në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, nga numri i përgjithshëm i studentëve në këtë departament, në vitin akademik 2021/2022, 55.9% e tyre janë femra. Vitin pararendës akademik, pra 2020/2021, ky numër ka qenë edhe më i lartë, në një përfaqësim total prej 61.8%.
Por, situata nuk ka qenë aspak e njëjtë 10 vjet më parë. Për shembull, në vitin akademik 2012/2013, në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, vetëm 28.2% kanë qenë femra dhe, një vit më pas, më 2013/2014, kjo përqindje ka qenë edhe më e ulët, përkatësisht 26.8%.
Vajzat në TIK po e tejkalojnë edhe mesataren e Bashkimit Evropian. Sipas statistikave aktuale, në këtë fushë, nga numri i përgjithshëm i studentëve, femra del të jenë vetëm 17% e tyre. Kjo është një dëshmi shtesë e përpjekjeve të UP-së dhe vendit për të inkurajuar dhe mbështetur vajzat dhe gratë në këtë fushë.
E sipas rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët me të cilët mund të zhvillohet edhe shteti i Kosovës.
“Zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët kryesorë, të cilët Kosova mund t’i zhvillojë, veçanërisht kur kemi parasysh që popullsia e re e është pasuria më e madhe e vendit. Kjo, kombinuar me talentet e jashtëzakonshme të të rinjve dhe me nevojat në rritje të tregut, ku numri i kompanive që ofrojnë shërbime nga fushat e shkencave kompjuterike është në rritje. Si rezultat, përqendrimi dhe mbështetja e këtyre drejtimeve mbetet një përparësi strategjike, të cilës do t’i kushtohet vëmendje dhe kujdes i veçantë,” theksoi rektori Qerimi, në një takim të zhvilluar me studentet e këtyre programeve në UP.
UP-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e rritjes dhe zhvillimit të studentëve të saj, veçanërisht në fushën e TIK-ut, në mënyrë që të sigurohet që ata kanë shkathtësitë dhe dijen e nevojshme për të pasur sukses në teknologjinë që po zhvillohet në mënyrë rapide viteve të fundit. /KultPlus.com