13 Prill, 2021 - 5:40 pm
Vende si Dubai apo Katari janë gjithmonë në kërkim të gjërave të reja, e sidomos atyre arkitekturore, me koncepte dhe struktura gjithmonë e më të pazakonta.
Ndërtesat gjigante “që gërvishtin” qiellin në këto vende tashmë janë bërë të zakonshme.
Kësaj here ekipi turk “Hayri Atak Architectural Design Studio” ka shkuar më larg, pasi po ideon projektin e hoteleve lundruese, të cilët mund të gjenerojnë vetë energjinë elektrike, duke mbledhur dhe ripërdorur ujërat e shiut apo mbetjet ushqimore.
Struktura lundruese do të funksionojë në një mënyrë të ngjashme me një gjenerator, duke shfrytëzuar rrymën e ujit, turbinat e erës dhe fuqinë e baticave, duke e shndërruar të gjithë këtë në energji elektrike.
Ndonëse hoteli do të rrotullohet 360 gradë për të vënë në funksion sistemin e tij, mysafirët nuk kanë gjasa të përjetojnë ndonjë marramendje. I ideuar të ketë rreth 152 dhoma dhe një luks që i shkon përshtati vendeve të tilla, hoteli fillimisht do të ndërtohet në Katar, por projekti sipas dizajnerëve, mund të vendoset kudo për shkak të “tiparit të tij të lëvizshëm”.
Ekipi beson se pavarësisht vonesave për shkak të pandemisë, projekti pritet të përfundojë deri në vitin 2025. Megjithatë, synimi është që të punohet për 16 hotele të tilla luksoze. \ a2news/ KultPlus.com