Një grup turistësh nga Tajvani vizitojnë Korçën

26 Korrik, 2024 - 11:38 am

Traditat kulturore, klima, bukuritë natyrore dhe fshatrat turistikë të Korçës vijojnë të tërheqin gjithnjë e më shumë turistët e huaj.

Ditët e fundit një grup turistësh nga Tajvani, që ka eksploruar Korçën u ndalën të vizitonin edhe Qendrën e Kulturës dhe Inovacionit për të mësuar vallet e bukura tradicionale.

Kryetari bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve nga Taiwani në këtë qendër.

“Vizitorët e huaj shprehin përshtypjet më të mira për qytetin, fshatrat përreth, gastronominë, mikpritjen por një kuriozitet të madh kanë edhe për të zbuluar pak nga tradita e bukur korçare”, tha Filo.

Turistët e huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.

Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese.

Një interes të lartë ata shprehin edhe për fshatrat turistikë si Dardha, Voskpoja, Vithkuqi etj, si dhe monumentet e kulturës që janë të shumta në këtë qytet./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme