‘Një hap për Durrësin’, qindra qytetarë në vrapim, të ardhurat për një shkollë të dëmtuar nga tërmeti

23 Shkurt, 2020 - 1:25 pm

Qindra sportistë e qytetarë vendas dhe të huaj iu bashkuan sot maratonës së vrapimit “Një hap për Durrësin”, që u zhvillua sot në qytetin bregdetar, ndërsa të ardhurat e grumbulluara nga kjo maratonë do të shkojnë për rikonstruksionin e një shkolle të dëmtuar nga tërmeti.

Maratona “Një hap për Durrësin”, një aktivitet që nuk ishte vetëm sportiv e sensibilizues për një jetë aktive, por edhe një solidarizim për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti startoi pranë sheshit “Liria”. Në të morën pjesë qindra sportistë e qytetarë nga Durrësi, nga i gjithë vendi, nga Kosova, por edhe të huaj.

Ky marshim sensibilizues i organizuar nga atletja durrsake, Deborah Keçi dhe mbështetur nga bashkia e Durrësit kishte një itinerar prej 5 km.

Eventi startoi përpara pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” ku u zhvillua ceremonia e hapjes dhe nisi gara që përshkoi bulevardin dhe disa rrugë kryesore të Durrësit për të përfunduar sërish në sheshin “Liria”, ku u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së medaljeve të fituesve si dhe një koncert live për qytetarët.

“Një Hap për Durrësin” ishte një vrapim sensibilizues dhe jo një garë e mirëfilltë. Mesazhi që përcolli kjo maratonë vrapimi ishte se “më shumë se çdo here tjetër kishte shumë pak rëndësi nëse ecën apo vrapon, nëse arrin i pari apo i fundit, për sa kohë bëhemi bashkë dhe hedhim një hap përpara”, tha kryetari i bashkisë së Durrësit, Zhyljen Varfaj.

Fituesit e kësaj maratone ishin Elsuida Loca për femra dhe Haxhi Berisha për meshkuj. Në këtë event morën pjesë personalitete të ndryshme si nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri, zv/ministri i arsimit, Olti Rrumbullaku, rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski, drejtoresha e zyrës vendore arsimore, Jonida Matohiti, drejtori i autoritetit portual, Pirro Vengu, atletja kampione Luiza Gega, kreu i sindikatës së futbollistëve, Andi Lila, të cilët u kanë dhënë edhe medaljet fituesve të kësaj maratone. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme