18 Maj, 2023 - 1:40 pm
Debatet janë një pjesë e domosdoshme e jetës, por ato nuk duhet të jenë domosdoshmërisht të ngarkuara. Psikologu Dan Shapiro ka identifikuar tre barriera për debatet produktive: identiteti ne-kundër atyre, mos vlerësimi dhe një mungesë përkatësie. Thyerja e këtyre barrierave kërkon që të jemi dëgjues më të mirë dhe të rikategorizojmë ndjenjën tonë që kemi për “ne”.
Shumica e njerëzve duan që debatet të jenë konstruktive. Ata shqetësohen se politika është bërë shumë e polarizuar dhe se mediat sociale janë fushëbeteja më toksike e luftërave kulturore. Dhe në jetën e tyre personale, shqetësohen kur marrëdhëniet premtuese kanë vështirësi për të kapërcyer mosmarrëveshjet e rrënjosura. Edhe Dan Shapiro, një ekspert për negociatat dhe zgjidhjen e konflikteve në Universitetin e Harvardit, e sheh konfliktin të papëlqyeshëm. Por siç thoshte ai në një intervistë, debatet janë një përvojë universale njerëzore. Ne nuk mund t’i shmangim dhe nëse i injorojmë, është në dëmin tonë. Pavarësisht se sa mund të mos na pëlqejë, duhet të jemi në gjendje të përfshihemi në debatet e jetës, pavarësisht nëse zgjidhen në favorin tonë apo jo. Problemi nuk është se ne kemi debate. “Problemi është se si.” Në kërkimin dhe përvojën e tij, Shapiro ka identifikuar tre barriera që duhet të kapërcejmë për të pasur debate më të mira dhe më produktive.
Barriera e parë:
NJË IDENTITET NE – KUNDËR ATYRE
Qëllimi i një debati ndryshon në momentin që identiteti juaj ngatërrohet në konflikt. Në atë pikë, ju nuk po përpiqeni më të zgjidhni një mosmarrëveshje ose të ballafaqoni idetë konkurruese. Po luftoni për ndjenjën që keni për vetveten. Tani je ti (si individ) ose ne (si fis) kundër atyre. Pasi të jeni në atë gjendje vetëmbrojtjeje, emocionet bëhen më të fuqishme dhe dëshira juaj për të gjetur gjuhën e përbashkët ia lë vendin nevojës për të fituar.
Fatkeqësisht, është tmerrësisht e lehtë që debatet të kalojnë në një sfidë “ne kundër atyre”. Në fakt, ndërsa ne bashkëpunojmë me anëtarët e grupit tonë, jemi gjithashtu natyrshëm fobikë jashtë grupit. Studimet tregojnë se kur njerëzit identifikohen fuqishëm me një ideologji, ata mund ta çnjerëzojnë grupin deri në pikën e nënvlerësimit të aftësisë së tyre për të patur ndjesitë themelore njerëzore, të tilla si etja dhe të ftohtit. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa t’i atribuojnë motivimet e palës tjetër si të liga dhe të urryera.
Ky është më shumë se arsyetim i dobët nga ana jonë. Mentaliteti ne- kundër atyre ka një bazë neurologjike në hormonin oksitocinë.
Oksitocina zakonisht vlerësohet si një hormon pro-social. Është një kontribuese e rëndësishme në sjellje të tilla si ndërtimi i besimit, rritja e bashkëpunimit dhe kujdesi social. Na bën më shprehës emocionalisht dhe përmirëson inteligjencën tonë emocionale. Madje i ndihmon nënat të lidhen me foshnjat e tyre dhe çiftet me njëri-tjetrin. Por studimet kanë treguar gjithashtu se oksitocina nuk është vetëm një hormon mbështetës. I njëjti hormon që nxit kohezionin brenda grupit mund të forcojë gjithashtu konkurrencën jashtë grupit. Ky rol i dyfishtë i të bërit dashuri dhe luftë quhet “paradoksi i oksitocinës”.
Siç e thekson Shapiro: “Duhet të dini se kush jeni dhe çfarë përfaqësoni. Cilat janë vlerat dhe besimet që më shtyjnë të luftoj për këtë qëndrim për këtë çështje? Sa më shumë të kuptoni se kush jeni, aq më shumë mund të përpiqeni të arrini qëllimin tuaj dhe të qëndroni të ekuilibruar, edhe kur tjetri kërcënon ato vlera dhe besime thelbësore.” Sigurisht, askush nuk është i përsosur. Ne të gjithë do të humbasim ekuilibrin herë pas here.
Barriera e dytë:
TË MOS TREGOSH VLERËSIM
Pasi të shohim se si identiteti luan në mbrojtjen tonë emocionale, mund të punojmë për t’i ulur ato gardhe tek ne dhe tek të tjerët. Një mënyrë për ta bërë këtë dhe për të ndërtuar një lidhje më të mirë është përmes vlerësimit. Vlerësimi tregon se ju nuk e shihni debatin si një përleshje ideologjike rrënuese; humbja e tjetrit nuk është fitimi juaj. Përkundrazi, ju e shihni debatin si një mundësi për zgjidhje të mundshme, dhe edhe nëse kjo nuk mund të arrihet, rritje reciproke dhe mirëkuptim të ri.
Një qasje që rekomandon Shapiro është thjesht të dëgjoni në fillim të bisedës. Merrni parasysh vlerën që qëndron pas perspektivës së personit tjetër, arsyetimin e tyre dhe pse e kanë atë. Edhe nëse përfundimisht nuk jeni dakord, ka të ngjarë të gjeni diçka që vlerësoni për personin tjetër – qofshin këto vlerat, pasioni, njohuritë mbi temën ose një këndvështrim i nuancuar që nuk e kishit marrë parasysh.
“Nuk ka asgjë më shumë në botë që na pëlqen sesa të ndihemi të vlerësuar. Njihni fuqinë tuaj për t’i vlerësuar ata.” Një qasje më e formalizuar për të kapërcyer këtë pengesë njihet si rregullat e Rapoport. Të krijuara fillimisht nga psikologu matematicien Anatol Rapoport dhe më vonë të sintetizuara nga Daniel Dennett, këto rregulla ofrojnë një udhëzues hap pas hapi për të sjellë vlerësim në një debat. Pasi të dëgjoni arsyetimin e palës tjetër, ndiqni këto hapa:
Shpjegoni qartë pozicionin e personit tjetër për të treguar se e keni dëgjuar dhe respektuar pozicionin e tij.
Përmendni çdo gjë që keni mësuar për t’i treguar personit tjetër se meriton të mësojë dhe se ju e vlerësoni mundësinë.
Rendisni pikat për të cilat jeni dakord si një mënyrë për të ulur ato gardhe vetëmbrojtjeje.
Dhe tani, ofroni një kritikë ose përgënjeshtrim.
Duke u angazhuar ose në rregullat e Rapoport-it ose në rekomandimin e Shapiro-s, ju demonstroni jo vetëm vlerësim, por gjithashtu ndërtoni besim me personin tjetër. Dhe ju mund ta përdorni atë besim për t’ju shtyrë të kapërceni barrierën përfundimtare.
Barriera e tretë:
INJORIMI I PËRKATËSISË SUAJ
Siç e kemi parë, kur mendojmë për dikë si pjesë të grupit tonë, ne jemi më bashkëpunues dhe më të gatshëm ta mendojmë atë si partner dhe jo si pengesë ideologjike. Kur i shohim ata si një anëtar të grupit të jashtëm, ne i shohim si një kundërshtarë.
Por sipas Sapolskyt, ne manipulohemi lehtësisht kur bëhet fjalë për të caktuar se kush bën pjesë në ose jashtë grupit tonë. Besoni apo jo, ky është lajmi i mirë. Ne mund të lidhemi me njerëz të tjerë – t’i shoqërojmë ata si pjesë e fisit tonë – bazuar në tipare në dukje të parëndësishme. Mund të jetë aq e thjeshtë sa një hobi i përbashkët, një skuadër sportive e preferuar ose nëse ish shoku i dhomës i kushëririt të tyre të dytë është i diplomuar në Alma Mater. Edhe përkatësia më e dobët mund t’i hapë dyert krijimit të “neve” dhe të reduktojë gardhet duke lehtësuar besnikërinë fisnore.
“Kthejeni personin tjetër nga një kundërshtar në një partner, kështu që nuk do të jem më unë kundër jush, por ne të dy përballemi me të njëjtin problem të përbashkët,” thotë Shapiro.
Përkatësia gjithashtu nuk duhet të jetë e parëndësishme. Merrni parasysh debatin e imigracionit në politikën amerikane. Në shumë drejtime, këto debate janë të pazgjidhshme. Realitetet ekonomike janë komplekse, aspiratat humaniste mund të jenë të frikshme për t’u arritur dhe identitetet në çështje të tilla janë të rrënjosura thellë.
Megjithatë, të dhënat e sondazheve sugjerojnë se republikanët dhe demokratët në fakt bien dakord për shumë gjëra. Shumica e të dyja palëve thonë se siguria kufitare, lejimi i qëndrimit të fëmijëve pa dokumente dhe ndihma e refugjatëve civilë për t’i shpëtuar dhunës janë qëllime të rëndësishme. Dallimi është në shkallë dhe intensitet, gjë që zhvendos prioritetet kryesore për secilën palë. Megjithatë, është një gjë të thuash se ke një prioritet të ndryshëm sesa të thuash që të dyja palët nuk kanë fare lidhje me sfidën.
Si i tillë, tejkalimi i kësaj pengese të tretë mund të jetë po aq i thjeshtë sa t’u kujtosh të përfshirëve atë që kanë të përbashkët – qoftë kjo një vlerë, prioritet apo qëllim i përbashkët. Rregullat e Rapoport-it e bëjnë këtë duke renditur pikat e marrëveshjes përpara çështjeve të diskutueshme. Shapiro rekomandon gjithashtu t’i kërkoni personit tjetër të imagjinojë zgjidhje që përfshijnë sa më shumë vlera dhe prioritete të përbashkëta.
“Tani, nëse i vini në praktikë këto tre gjëra, kjo mund të transformojnë marrëdhëniet tuaja. Imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse do të fillonim një revolucion, por një revolucion pozitiv me mirëkuptim më të madh, vlerësim më të madh, përkatësi më të madhe, si mund ta transformonim politikën, si mund ta transformonim në fund të fundit, botën tonë. Unë besoj se është e mundur, por fillon me secilin prej nesh”, thotë Shapiro. (business insider) / KultPlus.com