4 Nëntor, 2019 - 8:16 pm
Qindra organizata të shoqërisë civile, por edhe individë të ndryshëm janë bërë bashkë për të mbajtur marsh protestues në kërkim të drejtësisë për aktivistin e Vetëvendosjes.
Marshi mbahet këtë të martë më 5 nëntor dita kur bëhen 3 vjet nga vdekja e Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Iniciativa është nisur pas gjetjeve të Institutit të Lozanës, sipas raportit të të cilit, gjasat që Astrit Dehari të jetë vetëvrarë janë të vogla, raporton KTV.
Marshi protestues nis nga ora 12 në sheshin Skënderbeu.
Sipas aktivistit Flamur Pireva, marshi synon të kërkojë drejtësi për vdekjen e dyshimtë të Deharit, por edhe të bëjë presion tek organet e drejtësisë që drejt të shqyrtojnë këtë rast.
Kërkesat kryesore të Marshit për Drejtësi, që do t’u adresohen institucioneve kosovare, përfshijnë caktimin e një grupi të ri e të pavarur hetimor, shkarkimin e të gjithë personave përgjegjës për rastin, si dhe fillimi i menjëherëshëm i një hetimi të ri.
Marshit protestues të së martës, pritet t’i bashkohet edhe familja Dehari, e cila kishte insistuar në një hetim në Zvicër për rrethanat e vdekjes së djalit të tyre.