15 Shtator, 2023 - 12:52 pm
Pulovra me motive baritore e princeshës së Uellsit, Diana, është shitur për 1,14 milionë dollarë (920 000 paund) në ankand.
Pulovra e kuqe që princeshë Diana veshi kur ishte e sapofejuar në një ndeshje polo në qershor 1981, u shit për 1 143 000 dollarë në ankandin Sotheby’s në Nju Jork, duke tejkaluar parashikimin prej 50 000 – 80 000 dollarë.
Pulovra, e cila ka një dele të zezë midis një rreshti me dele të bardha, u zbulua në një papafingo në muajin mars nga stilistja, Joanna Osborne.
Organizatorët e ankandit nuk e zbuluan identitetin e blerësit.
Sotheby’s e përshkroi pulovrën me motive të çuditshme të deleve bardh e zi si një nga modelet e para të Sally Muir dhe Joanna Osborne të trikotazheve të ngrohta dhe të mrekullueshme të krijuara në 1979.
Shënimi i katalogut të Sotheby’s thotë “e veshur nga Diana Spencer në 1981 në një ndeshje polo të princit Charles”.
Së bashku me një fotografi të vërtetuar nga Sotheby’s, kjo pulovër me motive baritore e humbur dhe e gjetur në një papafingo konfirmohet të jetë veshur nga princesha Diana 40 vjet më parë.
Ankandi online u hap më 31 gusht, në 26 vjetorin e vdekjes së Dianës në një aksident automobilistik në Paris./ atsh /KultPlus.com