14 Maj, 2020 - 9:00 pm
Në administratën aktuale amerikane, zyrtarët e vjetër vijnë dhe shkojnë me një frekuencë të tillë, saqë është e vështirë të mbahen mend. Por kur Madeleine Albright u emërua Sekretare e Shtetit nën kohën e presidentit Bill Clinton në viti 1997, ajo rrëzoi një numër konceptesh të vjetra mbi atë që do të thoshte të ishe një “burrë shteti”. Jo më pak për shkak të faktit, që Albright ishte gruaja e parë që merrte këtë post në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Inteligjenca, këmbëngulja dhe humanizmi i Albright në trajtimin e çështjeve të politikës së jashtme gjatë mandatit të saj 4-vjeçar, janë tashmë të mirënjohura. Dy dekadat e fundit, ajo mban leksione në universitete, shkruan libra, mbron shtyllat themelore të demokracisë, të drejtat e grave në mbarë botën, dhe në çdo rast na kujton se arti i diplomacies, ka të bëjë me të dëgjuarit por edhe me të folurit.
Libri i saj me kujtime “Ferri dhe destinacione të tjera”, përshkruan të gjitha aktivitetet e saj publike dhe private të 20 viteve të fundit. Albright sot 82-vjeçe, flet në këtë intërvistë mbi jetën si lektore në universitet, parimet e diplomacisë së mirë, problemet e globalizimit dhe teknologjisë, dhe pengun që ka në lidhje me 3 vajzat e saj…
Çfarë ju nxiti ta titulloni librin tuaj të fundit “Ferri dhe destinacione të tjera”?
E kam bërë këtë për 3 arsye. Së pari, gjithçka që duhet të bëni sot është të shihni lajme. Nëse nuk zgjohemi shpejt dhe fillojmë t’i bëjmë gjërat ndryshe, Ferri është pikërisht aty për ku jemi drejtuar. Arsyeja e dytë, ka të bëjë me një thënie që mund ta keni dëgjuar:Në Ferr ka një vend të veçantë për grate, që nuk ndihmojnë njëra-tjetrën. Arsyeja e tretë, është se titulli ideal mund të ishte “Parqet dhe rekreacioni”, por ai është përdorur tashmë.
Ky është libri juaj i shtatë, cili ishte ndryshimi në shkrimin e këtij libri nga të mëparshmit?
Ky është libri i tretë, që përshkruan se si ka qenë jeta ime. Këtë e shkrova e nxitur nga njerëzit që më pyesnin vazimisht mbi atë që po bëja, dhe si arrija ta përballoja ritmin e jetës. Pasi njerëzve, unë u dukem shumë e çuditshme. Sapo zbrita nga avioni në një rast, mbikëqyrësi i fluturimit më pa dhe tha:”A mund të jem i pasjellshëm, dhe t’ju pyes sa vjeçe jeni?”. Unë mendoj se njerëzit presin që unë ta mbyll gojën në këtë pikë!
Njerëzit janë të fiksuar pas kulturës rinore. Ju flisni në libër mbi moshën e tretë. Si e luftoni plakjen?
Unë mendoj se ka gjithnjë klishe, Mosha vetëm një numër, dhe varet nga ajo se si ndihesh dhe çfarë bën. Në rastin e brezit tim – ose të paktën për mua – u desh shumë kohë që të ndihesha e moshuar. Unë kam qenë gjithnjë 10 vjet më e moshuar se të gjithë të tjerët, pasi u martova shumë herët.
Linda fëmijën e parë kur isha 24-vjeçe, dhe m’u desh një kohë e gjatë që të merrja doktoraturën. Unë jam një natyrë e hapur, dhe marr shumë energji nga kontakti me njerëzit. Ndihem më mirë kur bëj gjëra! Por më është dashur një kohë e gjatë të gjej zërin tim, dhe nuk kam ndërmend të hesht pikërisht tani.
Ju shkruani në libër mbi atë që keni mësuar nga të rinjtë. Cila është ajo?
Unë jap mësim në Universitetin e Xhorxhtaunit, dhe shkoj edhe në shumë shkolla të tjera. Dhe ajo që kam mësuar, është se ata janë shumë më tepër të angazhuar në eksplorimin e mundësive, dhe të bërit dallimin nga të tjerët, nga sa ishin shumë nga ne kur ishim më të rinj.
Dhe nuk po e teproj. Mendoj se të rinjtë e sotëm, janë vërtetë më të motivuar. Ata nuk duan të ulin kokën dhe të pranojnë gjërat që u thuhen. Ata debatojnë! Une gëzohem kur studentët në klasën time i sfidojnë argumentat e mira, pasi atëherë mund të kemi një diskutim.
Kjo ndodh ndoshta pasi unë jap mësim marrëdhëniet ndërkombëtare. Por kam kaq shumë studentë që flasin më shumë se sa një gjuhë; shumë janë studentë të huaj, ose të gjeneratës së pare të emigrantëve, dhe shumë prej tyre kanë udhëtuar nëpër botë. Dhe ata nuk janë aspak të heshtur.
Duhet të jetë interesante të shohësh njerëzit teksa përpiqen të gjejnë zërin e tyre…
Unë i nxis ata që ta bëjnë këtë. Por njëkohësisht, dua që ata të respektojnë idetë e të tjerëve. Unë besoj tek diskutimet civile, dhe mendoj se mund të mësosh shumë edhe nga njerëzit që nuk bien dakord me ty.
Në fakt këto kohë na mungon shumë diskutimi civil. Ju keni një karrierë të gjatë, duke u marrë me njerëz me të cilët nuk binit dakord. Si mund t’i bësh njerëzit që ke përballë të ndjejnë se po dëgjohen?
Mendoj se shumë nga këto aftësi, vijnë nga të jetuarit në shumë vende të ndryshme, dhe përpjekja për të kuptuar kulturën ose historinë e një vendi. Sapo jam rikthyer nga Londra, dhe aty qendrova në disa blloqe larg nga lagja ku jetuam si familje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pastaj mora pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Atje kishte shumë njerëz nga Ballkani, dhe shpenzova shumë kohë mbi problemet që ekzistojnë atje. Në thelb, jeta ime e dikurshme më bëri të dëshiroja të dëgjoja njerëz të tjerë.
Që të jesh një diplomate e mirë, duhet ta vendosësh veten në vendin e të tjerëve. Pjesa më e vështirë, është kur ndodhesh në një dhomë me disa njerëz, që janë aq të prirur të të imponojnë mendimin e tyre, saqë nuk u japin të tjerëve asnjë shans të shtjellojnë opsionet e tyre.
Në raste të tilla, unë u kam thënë pak a shumë kështu: “Kam bërë një rrugë të gjatë deri këtu, dhe që të jem e sinqertë, ju duhet të dëgjoni edhe atë që dëshiron të thotë X”. Nuk ka asnjë mënyrë për të zhvilluar një bisedë të dobishme, nëse të gjithë thjesht përsëritin të njëjtat gjëra, dhe nuk duan të dëgjojnë ato që thonë të tjerët. Ne kemi këtë thënie:”Shih diçka, thuaj diçka”. Dhe unë shtoj “Bëj diçka”. Një nga detyrat e mia, ishte të respektoja pikëpamjet e njerëzve të tjerë, dhe të përpiqesha të kuptoja atë që ata thoshin.
Mendoj se të qënit të hapur dhe kurioz ndaj njerëzve, mund të sjellë shumë telashe. Dhe ne po jetojmë në një kohë kur lajmet, presidenti dhe politika amerikane, po i bën të gjithë të ndjehen sikur janë më të ndarë se kurrë. A mendoni se ne si botë, jemi më pranë apo më larg njëri-tjetrit?
Që të dyja janë të vërteta. Ka anë pozitive por edhe negative në 2 mega-tendencat. Njëra është globalizimi. Sot ne udhëtojmë dhe shohim më shumë sesa dikur, por kjo mund të çojë edhe në një lloj të caktuar pafuqishmërie. Unë mendoj se të gjithë duam të dimë se kush jemi.
E keqja është kur identiteti im e urren identitetin tënd, dhe kur ti thua:”Unë dua të jem vetëm me njerëzit e mi!”. Prirja tjetër e madhe është teknologjia, e cila është shumë e ndërlikuar. Mendja më shkon tek një fermere në Kenia, që tashmë nuk ka më nevojë të ecë shumë kilometra për të paguar faturat e saj.
Ajo mund ta bëjë këtë përmes telefonit të saj, dhe kësisoj ajo ka më shumë kohë për të shpenzuar me familjen e saj, të arsimohet apo të hapë një biznes. Dhe ky është një hap i madh përpara. Negativja është se të gjithë e marrin informacionin në mënyrën e tyre. Ata nuk e dinë se ku e marrin atë, dhe nuk e dinë gjithashtu nëse ai është i vërtetë apo jo. Ndërkohë ekzistojnë dallime të mëdha bazuar në perceptimin e fakteve. Par është një periudhë shumë e komplikuar, në SHBA dhe në botë. Kur përpiqem të jem shumë e drejtpërdrejtë, unë them: “Bota është rrëmujë”. Dhe ky është termi më diplomatik.
Ka një boshllëk të madh në udhëheqje, një gjuhë tejet polemizuese, dhe një qeverisje të bazuar shumë tek frika. Është e vështirë të dëshpërohesh, dhe siç e dimë të gjithë dëshpërimi mund të të paralizojë. Ju keni kaluar shumë administrata të ndryshme. Çfarë ju mban të motivuar dhe të angazhuar?
Unë jam një njeri i punës dhe veprimit. Dhe mendoj se talenti im më i madh është lidhja e nyjeve, pra një gjë të çon në një tjetër. Pasioni im është një demokraci në shkallë të gjerë. Besoj se ne njerëzit jemi të gjithë njëlloj, dhe duam të jemi në gjendje të marrim vendime për jetët tona.
Dhe një nga gjërat që dimë, është se zhvillimi ekonomik dhe politik ecin paralel me njëri-tjetrin. Demokracia duhet të japë frytet e veta, pasi njerëzit duan të votojnë, por edhe të hanë. Pra, duhet të ekzistojë një mënyrë për të kuptuar se si ato gjëra shkojnë së bashku, dhe si sektori privat të përfshihet më shumë në gjetjen e zgjidhjeve për disa nga problemet e tmerrshme që kemi sot.
Ju keni tre vajza…
Po. Dhe gjashtë nipër e mbesa!
Çfarë u ke thënë vajzave të tua teksa i rrisje?
Kur ato po rriteshin, shumë gra të tjera më bënë të ndihesha fajtore. Kjo është pjesë e “vendit të veçantë në Ferr”, pasi ne gratë jemi shumë gjykuese ndaj njëra-tjetrës. Ndaj unë u nervozova nëse isha apo jo një nënë e mirë. Por ajo që më thonë tani vajzat e mia, është se unë u futa në shpirt dëshirën për të punuar fort, dhe për të bërë gjëra që i ndihmojnë të tjerët.
Sot njëra prej tyre është gjyqtare, e dyta drejton një program ndërkombëtar për arsimimin e të rinjve, ndërsa e treta drejton një organizatë për parandalimin e abuzimit me fëmijët. Kështu ato kanë bërë atë që unë u kam këshilluar të bënin.
Ju duhet të jeni kaq krenare. Ëndrra e çdo nëne, është të shohë fëmijët e saj të gjejnë dhe bëjnë atë që kanë realisht pasion…
Unë i pyes herë pas here vajzat nëse kam qenë një nënë e keqe, dhe ato më thonë: Padyshim që jo. Por unë sërish habitem. Mendoj se emri i mesëm i çdo gruaje është “Faj”./ Interview Magazine – Bota.al