3 Maj, 2020 - 6:00 pm
“Zakonisht kur dikush e përmend fjalën ‘shkencë’, menjëherë në trurin tonë paraqitet një burrë i vjetër, i racës së bardhë, me një mantel të bardhë laboratori”.
“Por, ky në fakt nuk është pasqyrimi i njerëzve që merren me shkencë”, thotë Ferdiana Hoti, një shkencëtare e re nga Gjilani, e cila është kandidate për doktoraturë në Universitetin e Antwerpit në Belgjikë, si dhe në Qendrën Shkencore Belge për Energji Nukleare. Në fokus të studimeve të saj janë aspektet e komunikimit, në rastet me rreziqe nukleare.
“Shkencëtarët janë vajza, janë gra, janë burra e djem, të rinj e të vjetër, të racave të ndryshme e të profesioneve të ndryshme. Ka shkencëtarë me mantel të bardhë, e ka nga ata që gjithë ditën e kalojnë para kompjuterit, duke bërë analiza statistikore”, thotë ajo, për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, shkollimi fillor dhe i mesëm në Kosovë, nuk i ka ofruar njohuri praktike, në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Shumë më ndryshe është në Belgjikë, ku sipas saj, përparësitë janë të shumta.
“Janë kushtet financiare dhe pajisjet më të reja, të cilat të ndihmojnë të bësh hulumtime, ashtu sic duhet. Gjatë doktoraturës këtu të jepet e gjithë ndihma financiare për të përfunduar hulumtimet, të cilat do të të nevojiten gjatë studimeve. Varësisht prej idesë që ke, mund ta gjesh shumë lehtë përkrahjen nga departamente të ndryshme për pajisjeve teknologjike, apo edhe mund t’i blesh ato”, thotë Hoti.
Vlerësimi i pavërejtshëm i PISA-s
Edhe më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, sistemi arsimor vuan nga cilësia e dobët, për të ngritur kuadro profesionale.
Cilësia e dobët në arsim, pakënaqësitë e mësimdhënësve sa i përket pagave dhe ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura arsimore, janë vetëm disa nga problemet, me të cilat përballet sektori i arsimit në Kosovë, thonë ekspertët.
“Rezultatet e fundit të PISA [Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve] krahasuar me ato të vitit 2005, tregojnë se jemi në krizë. Është zhgënjyese, sepse Kosova nuk ka vizion dhe nuk di çfarë të bëjë për të ndryshuar gjendjen në arsim në një periudhe 10-vjeçare”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit.
Në fakt, Kosova u përball më vlerësimin e dobët të PISA-s dy herë me rradhë, për ngecjet që ka shënuar ndër vite në arsim. Ajo që nuk ka rënë shumë në sy te ky vlerësim, është fakti se Kosova kishte një përparësi të vecantë në raport me vendet tjera – në shkencë vajzat kishin tejkaluar djemtë, për gjashtë pikë në shkallën e vlerësimit.
“Në të gjitha vendet djemtë i kaluan vajzat në matematikë për pesë pikë, por në Kosovë vajzat shënuan rezultatet të ngjashme me djemtë në matematikë. Në shkencë vajzat i tejkaluan djemtë mesatarisht me dy pikë në nivel të të gjitha vendeve, por në Kosovë vajzat i tejkaluan djemtë në shkencë me gjashtë pikë”, thotë hulumtimi i PISA-s.
Në muajin shkurt të këtij viti në Kosovë “Rrjeti i Grave në Arsim të Lartë dhe Shkencë”, një organizatë që ka për synim përkrahjen vajzave dhe grave në zhvillimin e karrierës së tyre akademike, shkencore dhe udhëheqëse, mbajti konferencën “Këmbëngulësia e Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë”.
Njëra ndër gjinekologet e para në Kosovë, Emine Gashi, në fjalimin e saj porositi vajzat dhe gratë “të mos zbrapsen dhe heqin dorë nga qëllimet e tyre pavarësisht pengesave”. Kjo organizatë po angazhohet në promovimin e mundësive të barabarta në hulumtime shkencore.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, nuk është përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me investimet e kësaj ministrie për krijimin e mundësive të barabarta dhe për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave në shkencë.
“Në Kosovë ende mungon përfshirja e barazisë gjinore në proceset edukative”
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) është një organizatë joqeveritare, e cila merret me qeverisjen demokratike dhe zhvillimin e qendrueshëm. Një ndër projektet e saj është edhe avokimi i drejtpërdrejtë tek akterët kyç të fushës së barazisë gjinore në institucionet shtetërore. Por, kjo organizatë në fokus ka edhe fuqizimin e grave në shkencë.
Dora Musa, zyrtare në këtë organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë ende mungon përfshirja e barazisë gjinore në proceset edukative dhe plan-programet e shkollave.
Kjo organizatë këtë fakt e ka vërejtur gjatë zbatimit të një projekti në shkollat e Kosovës për vetëdijësimin mbi barazinë gjinore.
“Zakonisht, temat e barazisë gjinore preken pak, për mos të thënë fare, nga arsimtarët dhe profesorët e lëndëve siç është Edukata Qytetare. Ky fakt limiton njohuritë e gjeneratave të reja në çështjet gjinore. Në kuadër të aktiviteteve të mbajtura në shkolla, kemi vëzhguar një gatishmëri nga ana e drejtorëve dhe mësimdhënësve për të ligjëruar mbi barazinë gjinore, por ndër vite është bërë pak në këtë drejtim”.
“Ajo çfarë kemi kuptuar gjatë kontakteve me nxënësit është se ata kanë dëshirë të madhe që jo vetëm të dëgjojnë për barazinë gjinore gjatë një ore ligjërimi në kuadër të një lënde, por të kenë lëndë të veçantë për çështjet gjinore. Sidoqoftë, për t’u arritur kjo duhet përfshirje e institucioneve qendrore të sektorit publik, respektivisht Ministrisë së Arsimit. Për fat të keq nuk kemi parë një vullnet të tillë”, thotë Musa.
Deri atëherë, shkencëtarja e re, Ferdiana, ka një porosi për të gjitha ato vajza dhe gra, kudo ku janë…
“Po deshët të merreni me shkencë, merruni me shkencë, eksploroni kurreshtjen”./rel/