4 Janar, 2020 - 9:28 am
Më 8 mars 1994, forcat policore serbe gjithë hakërrim do të mësynin ngrehinën e Institutit Albanologjik. Grupe me policë civilë e aso të armatosur gjer në dhëmbë nuk kursyen as stafin akademik të Institutit, shkruan Koha Ditore.
Prej dhunës kishte pësuar lëndime jo të vogla në kokë, dorën e majtë e shpinë edhe Anton Çetta. Por emri i tij tashmë kishte kapërcyer atë të një studiuesi, që prej dekadash po sistemonte lëndën e pasur të folklorit shqiptar.
I dashur për të gjithë, Plaku i urtë, siç njihej ai në popull, bashkë me “Komitetin Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve” ia kishte dalë mbanë që të pajtonte mbi 900 gjaqe. Kështu ishin shpëtuar jetët e rreth katër mijë familjeve të hasmëruara në Kosovë. Të premten, ai do t’i mbushte 100 vjet.
Por, Instituti Albanologjik dhe institucionet e tjera shtetërore nuk kanë organizuar asnjë aktivitet përkujtimor në përvjetorin e tij jubilar. Shtatorja e Çettës e derdhur në bronz qysh në tetor të 2018-s, edhe për një kohë do të qëndrojë në atelienë e skulptorit ferizajas Agon Qosa.
Por pas tre vjet mosmarrëveshjesh mes Institutit Albanologjik dhe Komunës së Prishtinës, gjërat më në fund duket se do të marrin epilog.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar zyrtarizimin e caktimit të lokacionit te Fakulteti i Filologjisë. Siç ka raportuar gazeta, një opsion i tillë qe përmendur qysh në shkurt të vitit të kaluar./KultPlus.com