29 Korrik, 2019 - 11:41 am
“Njerëz të padukshëm” solli sot historinë frymëzuese të një të riu, që edhe pse kishte të gjitha mundësitë për të vazhduar jetën jashtë vendit, vendosi të kthehej dhe të investonte në vendlindje.
Kjo është historia e Tonin Nikollit nga fshati Katund i Vjetër në Rubik.
I arsimuar në Itali dhe në Spanjë, Tonini zgjodhi të kthehej në vendlindje ku nxiti një mënyrë të re agroturizmi, duke e bërë vizitorin “bashkëndarës” të mirëfilltë të jetesës në fshat, larg teknologjisë dhe informacionit mediatik.
Duke ruajtur traditën, Tonini vendosi të ndërtojë disa shtëpiza druri në krah të banesës karakteristike të zonës, e cila është ruajtur me fanatizëm në çdo detaj dhe tashmë shërben si një dëshmi e prekshme e jetesës në këtë zonë.
Ashtu siç thotë ai, në këto shtëpiza nuk ka televizor dhe kjo për arsyen e thjesht që vizitori të bëhet pjesë aktive e jetesës në fshat.
Në këtë mënyrë, kushdo që viziton bujtinat e Toninit, jo vetëm që shijon ushqimin bio dhe natyrën mes maleve, por kontribuon sipas mënyrës së tij, gjatë qëndrimit atje. /m.m/ KultPlus.com