16 Dhjetor, 2020 - 4:19 pm
Qindra vetë morën pjesë në “tubimin e lirisë” gjatë fundjavës së kaluar në një qytezë të vogël në shtetin e Uashingtonit, pasi kryetari i Bashkisë refuzoi të detyronte banorët të zbatonin masat anti-COVID, të miratuara nga guvernatori.
Mosirok (Mossyrock), në kontenë Ljuis, është një qytezë me vetëm 800 banorë, ku asnjëri nuk pranon të ruhet nga koronavirusi, edhe pse në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara shifrat janë alarmante dhe në të gjithë globin, pandemia ka shkaktuar mbi 1.6 milionë viktima.
“Në qytezën tonë, momentalisht nuk ka asnjë rast të raportuar me Covid-19 dhe asnjë vdekje që lidhet me të”, tha kryebashkiaku Randal Sasser, në një radio lokale, duke justifikuar vendimin për moszbatimin e rregullave të Guvernatorit Jay Inslee, sipas të cilit të gjitha bizneset duhet të kufizojnë të pranishmit brenda ambienteve të tyre, në të kundërt do të duhet të gjobiten me disa mijëra dollarë.
Që prej muajit mars, sipas Sasser, në të gjithë distriktin e kontesë që përfshin qytezën dhe rrethinat, janë regjistruar vetëm 80 raste nga 23 mijë banorë, por askush nuk e ka njoftuar për raste në qytezën e tij. Mosirok njihet në zonë për festivalin e përvitshëm të birrës, që zakonisht tërheq 5000 turistë./ KultPlus.com