2 Shkurt, 2020 - 6:58 pm
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka miratuar listën me gjashtë ministrat e kësaj partie, që pritet të jenë pjesë e qeverisë Kurti, shkruan KultPlus.
Vlora Dumoshi, e cila më parë ka qenë në postin e Drejtoreshës në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, është propozuar si Ministre e Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Dumoshi në disa zgjedhje në Kosovë ka dalë si një ndër gratë më të votuara.
Dumoshi ka lindur në vitin 1966 ndërsa ka punuar edhe si Profesoreshë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Pjesë e rëndësishme e fushatave të saj brenda LDK-së kanë qenë gratë, ndërsa jo rrallë herë ajo ka folur për sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen gratë e vajzat në Kosovë. Barazia gjinore ka qenë një ndër pikat e forta të fjalimeve të Dumoshit nëpër vite.
Dumoshi karrierën e ka nisur si gazetare e Revistës Studentore ‘Bota e Re’, e vazhdoi me angazhmin si staf civil në Forcat Paqeruajtëse Amerikane për Kosovë e Bosnje ndërsa ishte pjesë edhe e disa organizatave për zhvillimin e sistemit edukativo-arsimor.
Vlora Dumoshi ka lindur në Prishtinë, ndërsa në disa intervista të saja në të kaluarën ka treguar se LDK kultivon vlera evropiane edhe në fushën e barazisë gjinore.
Pritet të shihet se si do të ecin tutje zhvillimet politike në Kosovë, me Vlora Dumoshin në krye të sektorit kulturor në vend. Shpesh ajo ka folur në paraqitjet e saj mediatike edhe për fëmijët e saj, Rronin e Rrapin – duke i konsideruar ata si dashurinë e saj absolute në jetë. / KultPlus.com