10 Gusht, 2023 - 10:00 am
Lajmi i mirë se Ukraina mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, kanë ardhur ditëve të fundit nga Kievi.
Kreu i Komisionit për politikë të jashtme të Ukrainës, Oleksandr Merezhko, tha për RTK-në se vendimi final i takon presidentit Volodymyr Zelensky.
“Para se të marrim një vendim të tillë duhet të peshojmë pluset dhe minuset për t’i marrë në konsideratë dhe pasojat politike. Por, vendimi përfundimtar i takon vetëm presidentit, jo parlamentit. Ne deputetët nuk vendosim për këtë çështje, megjithatë, ne përfaqësojmë popullin, ne kemi zërin e popullit të Ukrainës, dhe njerëzit në Ukrainë e shohin shumë qartë se Kosova është në anën e Ukrainës dhe për Serbinë ju e dini se Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Në Serbi shohim simpati ndaj Rusisë. Në Serbi, për fat të keq, shohim një zhvillim të marrëdhënieve me Rusinë, i cili është shqetësues për ne, dhe sigurisht që ka ndikim tek votuesit tanë”, ka deklaruar deputeti Merezhko.
Nuk dihet ende se kur mund të ndodhë njohja nga Ukraina, kjo për shkak të konflikteve të armatosura që po ndodhin atje.
Merezhko thotë se është vështirë të pretendohet deri tani, megjithatë shprehet optimist se kjo mund të ndodhë ndoshta në një të ardhme jo të largët.
“Shumë çështje që duken problematike ose të diskutueshme në Ukrainë, priren të shtyhen deri në fund të luftës. Tani ne jemi të shqetësuar për mbijetesën tonë, po luftojmë kundër një armiku shumë të fuqishëm dhe për këtë arsye, ne priremi të shtyjmë disa çështje të vështira dhe të ndërlikuara, por në të njëjtën kohë e shohim, përsëri po flas nga një këndvështrim politik këtu, ne mund të shohim se aleatët tanë që na ndihmuan për të mbijetuar, ata e mbështesin Kosovën, ata tashmë e kanë njohur Kosovën dhe është një nga argumentet në favor të njohjes. Por, një çështje tjetër, shumë do të varet nga politika e Bashkimit Evropian. Ukraina është një kandidate për t’u anëtarësuar në BE, po ashtu, ne duhet të koordinojmë politikën e jashtme me BE-në. Shumë do të varet nga qëndrimi i BE-së në lidhje me Kosovën”, deklaroi ai. / atsh / KultPlus.com