28 Prill, 2020 - 9:25 am
Në Nju-Jork banorëve u është kërkuar të rrinë në shtëpi të izoluar dhe rrugët e qytetit janë të zbrazëta. Në materialin në vazhdim njihemi me rrëfimin e nëndrejtores dhe kuratores së parë të Muzeut të Qytetit të Nju Jorkut.
“Në muzeun e Qytetit të Nju Jorkut, ne shpesh reflektojmë se çfarë e bën Nju Jorkun, Nju Jork. Dhe mund ta përmbledhim në katër tipare: Para, dendësi, larmi dhe krijimtari, të cilat janë pjesë e pëlhurës dhe ndjehen në gjallërinë e rrugëve të tij. Është pikërisht mungesa e gjallërisë së rrugëve të Nju Jorkut që më mungon më mprehtësisht në këtë kohë të çuditshme dhe të heshtur izolimi, distancimi fizik dhe karantine”, thotë Sarah Henry, e muzeut të Nju Jorkut.
Një njoftim për pasagjerët e trenave shkruan: “Përdorni sapun dhe ujë dhe lani duart për të paktën 20 sekonda, ose përdorni dezinfektant. Mbuloni hundën dhe gojën, me bërryl kur kolliteni ose tështini. Të punojmë së bashku që të ruajmë shëndetin.”
“Rrugët janë të dendura. Janë të larmishme, plot me njerëz krijues, njerëz nga e gjithë bota. Turmat, njerëz të panjohur që përplasen me njëri-tjetrin. Mund të dëgjosh çdo gjuhë të globit, kjo është përvoja që provon në rrugët e Nju Jorkut”, thotë Sarah.
“Qyteti është organizuar dhe sistemet e tij janë ndërtuar, në një mënyrë të tillë që të luftojnë mjedisin e pashëndetshëm që mendohej se ishte burim sëmundjesh. Prandaj u ndërmorën projekte të mëdha infrastrukture, si sistemi i ujit, ekzistenca e vetë sistemit të kanalizimeve, kodi që përcakton se si ndërtohen banesat”, thotë Sarah.
“Por kur hymë në shekullin e 20-ë, ndryshimet që bien në sy si rezultat i sëmundjeve infektive, janë më metaforike. Lidhen me sjelljen njerëzore që përcakton se si njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin dhe si i shikojmë disa hapësira”.
“Do të jetë interesante të shohim se çfarë do të ndodhë pas kësaj periudhe vërtet historike dhe nëse do të ndryshojë drejtimin që do të marrë zhvillimi i Nju Jorkut”.
“Nju Jorku ka shumë emërtime. Një prej tyre që është i famshëm është ‘qyteti që nuk fle kurrë’. E megjithatë tani njerëzit ndjehen sikur qyteti që nuk fle kurrë, të paktën po merr një sy gjumë. Por po të shohësh nga afër se çfarë nevojitet që qyteti të vazhdojë të lëvizë dhe gjithë njerëzit që po rrezikojnë jetën, qoftë në spitale, apo që metroja dhe autobusët të funksionojnë, që ushqimet të shpërndahen, të jenë raftet e dyqaneve të mbushura, e kupton që ka shumë njerëz që nuk flenë në Nju Jork”, thotë Sarah. /VOA /KultPlus.com