15 Nëntor, 2023 - 11:53 am
Avokuesja iraniane për të drejtat e njeriut dhe fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, ka përfunduar grevën e urisë pas tre ditësh, sipas një deklarate nga ekipi i saj. Mohammadi përfundoi aksionin të mërkurën, më 9 nëntor, pasi u dha leje që të dërgohej nga burgu Evin i Teheranit për shkuar në një spital për marrjen e kujdesit mjekësor pa veshur hixhabin e detyrueshëm, thuhet në deklaratë.
Narges Mohammadi, kishte hyrë në grevë urie në burgun ku po mbahej, në shenjë proteste ndaj kufizimeve të kujdesit mjekësor për të dhe të burgosurit e tjerë, si dhe ndaj detyrimit që gratë të mbajnë hixhabin e detyrueshëm.
Paraprakisht përmes një postim në rrjetin social X, familja e saj kishin njoftuar se ajo po konsumonte vetëm ujë, sheqer dhe kripë dhe se kishin ndërprerë dhënien e medikamenteve të saj.
Mohammadi refuzon që në çfarëdo rrethane të mbajë hixhabin, mbulesa e kokës që është e detyrueshme për gratë në hapësirat publike iraniane qysh prej revolucionit islamik të Iranit të vitit 1979. “Narges hyri në grevë urie për të protestuar për dy gjëra: politikën e Republikës Islamike për vonimin dhe neglizhimin e kujdesit mjekësor për të burgosurit e sëmurë (sidomos ata politikë) dhe politikën e ‘hixhabit të detyrueshëm’ për gratë iraniane”, thuhet në deklaratën e familjes së saj në CNN News.
Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me bazë në ShBA (HRANA) raportoi se meqë ajo kishte refuzuar të mbante hixhabin e detyrueshëm me kusht që të dërgohej në spital, autoritetet e burgut, si kundërpërgjigje, kanë refuzuar të transferojnë Mohammadin, e cila vuan nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive.
Aktivistja 51-vjeçare e të drejtave u nderua me çmimin Nobel më 6 tetor për “luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë”.
Në një deklaratë mbështetëse për Mohammadi-n, Kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, tha se komiteti ishte thellësisht i shqetësuar për shëndetin e laureates së vitit 2023. “Kërkesa që gratë e burgosura duhet të mbajnë hixhab në mënyrë që të shtrohen në spital është çnjerëzore dhe moralisht e papranueshme,” tha ajo. Derisa Amnesty International, ka akuzuar qeverinë iraniane se në mënyrë mizore po luan me jetën e Mohammadit në një deklaratë në X.
Aktivistja Mohammadi, nënkryetare e Qendrës së Mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut në Iran, aktualisht po vuan dënimin me 10 vjet burgim. Beteja e saj ka pasur kosto të madhe personale – ajo është arrestuar 13 herë në total, është dënuar 5 herë, me 31 vite burg e me 154 rrahje me kamxhik, si dhe i është ndaluar të takohet me burrin dhe fëmijët e saj të cilët për momentin jetojnë në ekzil në Paris. / çika.org / KultPlus.com