28 Prill, 2020 - 4:46 pm
Shkruan: Sead Zimeri
“Normaliteti pas covid-19
Sdo diskutim që covid-19 është fatkeqësi, sidomos për ata që kanë humbur të dashur dhe familjarë të tyre, por edhe për ata që janë rrënuar ekonomikisht.
Por, më lejoni, me ndjesë, t’ua përmend edhe disa të mira.
1. Ngritja e nivelit të higjienës personale. Para covid-19 besoj që shumë pak nga ne i lanim duart kur ktheheshim në shtëpi nga jashtë. Tani na është bërë mani.
2. Njohja më e mirë e anëtarëve të familjes. Jo që nuk i njihnim më parë, por konteksti i izolimit për një kohë të gjatë vetëm me ta të jep një perspektivë tjetër. I sheh nga këndvështrime tjera dhe, shpresoj, edhe i vlerëson më tepër.
3. Covid-19 na ka detyruar të mendojmë më seriozisht për rrezikun që mund të na vijë nga aktiviteti jonë. E provuam çdo të thotë të jetosh pa mundësinë për ta shijuar natyrën. Ndoshta do të bëhemi më të ndërgjegjshëm e do të kujdesimi më shumë për të.
4. E kuptuam më mirë rolin e solidariteit me njëri-tjetrin. Që armiku nuk na dallon as sipas klasës e as sipas besimit apo kombësisë. Para covid-19 të gjithë jemi viktima potenciale. Pa mjekët, zjarrfikësit, infermierët, bukëpjekësit, e të tjerët që punuan për neve ne do të ekspozoheshim shumë më shumë përballë këtij armiku të padukshëm. Ata sakrifikuan që ne të mbrohemi. Ky është solidaritet.
5. E kuptuam edhe rolin dhe nevojën e shtetit, dhe nevojës që shteti të jetë i përgatitur për raste të këtilla emergjente.
6. Ajër i pastër. E kuptuam që ajri që thithim është më i pastër ngaqë e ndotëm më pak. Shtytja për profit dhe ngritja e profitit në vlerë absolute që definon çdo suskses të mundshëm, është prirje destruktive nga e cila duhet të largohemi sa më shpejtë. Konkurrencat me njëri tjetrin gjithsesi janë të nevojshme, por vetëm nëse bëhem brenda një kornize më të gjërë të solidaritetit me njëri tjetrin. Ne jemi të fortë sa më i dobëti mes nesh. Por kur profiti bëhet vlera kryesore atëherë nuk kanë fund pabarazitë dhe padrejtësitë sociale që shkaktohen. Situata ku mijëra fëmijë vdesin nga uria (e nëse vazhdon kështu shfrytëzimi i resurseve të natyrës edhe nga ndotja e ajrit si dhe ngrohja globale) për çdo ditë dhe njerëz që kanë qindra miliarda dollarë në pronësi bëhen normaliteti jonë.
7. Më pak zhurmë. Me aktivitetin tonë industrial kemi ndotur ambientin dhe ajrin, por me makinat, trenet, aeroplanet kemi ndotur edhe veshët. Nëpër qytete njerëzit as dritaret nuk i hapnin dhe as në ballkon nuk dilnin sepse zhurma ishte e padurueshme. Tani me më pak zhurmë, ndjen kënaqësi kur del në qytet. Nuk ka më as kokëdhimbje të shkaktuar nga ajo zhurmë. Nuk e di si është me juve, por për mua zhurma është shumë shpërqëndruese, çorientuese, dhe faktor i madh i stresit. Zhurma është faktor i rëndësishëm në lodhjen dhe rraskapitjen fizike dhe psikologjike të njeriut. Zhurma të dëmton shëndetin. Këtë e kupton sa herë që del në natyrë, pranë ndonjë lumi apo në pyll ku ska njeri.
Ka edhe dobi tjera gjithsesi, por këto janë ato që unë i kam vërejtur. Prandaj thirrjet që situata normale të kthehet sa më shpejtë më trembin. Nuk dua që situata të kthehet ashtu siç ishte. Ishte e dëmshme, e ndotur, shtypëse, po ecnin si dele drejt vetëshkatërrimit, dhe nuk kishim kohë as të mendojmë e as të pushojmë.
Kuptohet unë dua që të dalim nga izolimi, të punojmë, por të punojmë shumë më pak, të ndotim edhe më pak dhe të i lëmë makinat në garazhe. Mund të ecim më shumë, të vrapojmë dhe të shijojmë bukuritë e natyrës me ‘zhurmën’ e saj proporcionale me dëgjimin tonë, e jo me zhurmën që na shurdhon tërë kohën.
Nuk dua që situata të kthehet në normale sepse normaliteti që ishte dikur, nga perspektiva post covid-19 duket qartë që nuk ishte aspak normale, që të gjithë ishim të rraskapitur e të lodhur, kishim harruar të shijojmë bukuritë e natyrës, dhe bukuritë e moralit. Nuk duhet që të jemi solidarë vetëm në raste të rrezikut, por duhet të krijojmë sisteme ku solidariteti dhe kujdesi për njëri tjetrin dhe për natyrën e kafshët është vlera jonë kryesore.
Nuk dua të kthehet situata normale. Dua ta krijojmë një normalitet të ri. Sepse normaliteti i vjetër nuk ishte normal, ishte në shpërputhje të plotë me shëndetin tonë trupor dhe shpirtëror”.