18 Qershor, 2020 - 3:58 pm
Çdokush i ka kujtimet e veta për vendlindjen e vet – kujtohen fjalët e Prof.Dr Izedin Osmanit, pediatër, njeri me autoritet, has prishtinas, i cili po kështu ndalet te një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën:
Kujtimet e mia më së shumti janë të lidhura me hapjen e Normales “Sami Frashëri” më 1941. Ky moment historik nuk harrohet, se për herë të parë u hapën shkollat në gjuhën shqipe, filloi përdorimi i shqipes në administratë! Në shkollën “Sami Frashëri” nuk kishte vetëm nxënës kosovarë, por erdhën nga të gjitha vendet ku jetonin shqiptarët, pra kishim nxënës nga Tuzi, Podgorica, Ulqini, Tivari, Shkupi, Ohri, Tetova, Gostivari, Mastiri, Kumanova… Për herë të parë u zhvilluan mësimet në gjuhën time amtare, në shqip. Arsimtarët gati të gjithë ishin nga Shqipëria, shumë profesionistë, ekspertë të vërtetë. Kjo shkollë ka qenë bërthamë kulturore, ku u shkolluan shumë nxënës, që më vonë u shpërndane nëpër qytetet e veta, vazhduan shkollimin nëpër fakultete të ndryshme të ish-Jugosllavisë si dhe në vende të ndryshme të Evropës e Amerikës. Kështu, për një kohë të shkurtër u aftësua kuadri për formimin e Universitetit të Kosovës. Nxënësit e merituar, që arrinin të kryenin këtë shkollë, paraqitnin forcën motorike të inteligjencës. / KultPlus.com
Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime