Notre-Dame ka probleme me rindërtimin

7 Prill, 2022 - 10:31 am


Tre vjet pas zjarrit të madh mungesa e kohës dhe mosmarrëveshjet e vështirësojnë rindërtimin e katedrales së Notre Dame, vëren mjeshtrja Barbara Schock-Werner, që ka qenë ngarkuar me rindërtimin e Katedrales së Këlnit.

“Kjo ngjarje është prezente edhe sot”, thotë Barbara Schock-Werner, ish-mjeshtrja e ndërtimit në Katedralen e Këlnit, se cila kujton “kur pa në televizor krejtësisht e shokuar djegien e Katedrales së Parisit”. Asaj, si historiane arti, i ka mbetur në mendje sidomos momenti kur u rrëzua maja e kullës së kalimit (kulla ku takohet aniata kryesore me transeptën e një kishe) dhe ra tek harqet e transeptës gotike të kishës: “Shoku ishte i madh për mua.” Ajo e pati menjëherë të qartë se duhet të ofronte ndihmën e saj në rindërtimin e kishës.

Katedralja e Parisit njihet në gjithë botën dhe ka rëndësi të madhe kulturore. Romancieri francez, Victor Hygo (1802–1885) e ka përjetësuar madhështinë e kishës në një roman historik. Më vonë „Këmbanaxhiu i Notre Damit”, në shqip i njohur si „Katedralja e Notre Damit”, është kthyer shumë herë në film. Kompozitori austriak Franz Schmidt (1874-1939) shkroi duke u bazuar në romanin e Hygoit, operën romantike “Notre Dame”. Napoleon Bonaparte (1769-1821) u kurorëzua në kishën gotike si monark i gjithë francezëve, siç pati bërë dikur më parë Mbreti angelz Heinrich VI (1421-1471). Efekti kulturor dhe identitar i kishës së ndërtuar nga 1163 deri 1345, është i madh sa më nuk bëhet. Silueta e saj ngrihet dhe sot mbi ishullin e Senës, Île de la Cité, në qendrën historike të Parisit.

Kur tre vjet më parë imazhet e katedrales në flakë u panë nga gjithë bota, ato shkaktuan hidhërim dhe një valë gatishmërie për ndihmë. Presidenti francez Emmanuel Macron, e shpalli restaurimin e katedrales projekt kombëtar. Dhe premtoi që rindërtimi të përfundojë brenda pesë vitesh. Vetëm donatorët francezë premtuan të japin 850 milionë euro për rindërtimin e Katedrales.

Para dhe ekspertizë nga Gjermania

Oferta për të kontribuar u bënë edhe nga Gjermania, ku u mblodhën 700 000 euro. Tri ditë pas zjarrit të katedrales në Paris, Barbara Schock-Werner u emërua nga ish-ministrja gjermane e Kulturës në atë kohë, Monika Grütters, koordinatore e ndihmave gjermane.

Kur mbrëmjen e incidentit alarmi ra për herë të dytë, atëherë zjarrfikësit e kuptuan çfarë e shkaktonte zjarrin. Në papafingon e çatisë dhe në kullën e kalimit ishin duke u kryer punime, dhe një pjesë e Notre Damit ishte e rrethuar me skela ndërtimi. Ende pa përfunduar evakuimi i kishës, flakët përfshinë të gjithë skeletin e çatisë mbi transeptën qendrore. Drama nuk morri fund këtu: Në orën 19.56 – kur qindra zjarrfikës ishin duke luftuar me zjarrin, rrëzohet kulla e kalimit, maja më e lartë e Notre Damit. Kamerat e televizioneve gumëzhinin. Notre Dame po digjet, e paimagjinueshme! Deti i zjarrtë ndriçoi qiellin e mbrëmjes mbi Paris. Njerëzit ndaluan në rrugë dhe vunë duart në kokë. A mund të shpëtojë „Zonja jonë e Parisit?” E gjithë bota e pa zjarrin – live – duke u dridhur bashkë me francezët. Mëngjesin e ditës tjetër, në orën 9:50, gati 12 orë pas shpërthimit të zjarrit, zjarrfikësit lajmëruan se zjarri u shua plotësisht.

“Mrekullia e Notre-Dame”

Çfarë e kishte shkaktuar zjarrin katastrofal? Ndonjë kontakt fallco? Apo cigarja e ndonjë punëtori të ndërtimit? Edhe sot hetuesit nuk e kanë gjetur shkakun e fatkeqësisë.

Direkt pas zjarrit, Barbara Schock-Werner bëri një bilanc të dëmeve. Sot ajo e di se përmasat e katastrofës janë shumë më të mëdha se sa u kujtua fillimisht. “Për fat të mirë nuk janë rrëzuar të gjitha harqet.” Vetëm tre prej tyre kanë rënë. Në altar shihet një e çarë. Në fillim ajo kujtoi se me siguri që Madona gotike ishte shkatërruar. “Megjithëse kulla e kalimit ka rënë pranë saj, asaj nuk i ka ndodhur gjë,” thotë ekspertja nga Këlni.

Por pasojat e zjarrit janë të konsiderueshme. Dhe një problem që nuk u pa në fillim: “Prej ujit që është përdorur për shuarjen e zjarrit, ndërtesa është gjithë lagështirë, edhe sot.” Deri sa të thahet e gjitha mund të duhen nja dhjetë vjet. Ogur jo i mirë për rindërtimin, sepse koha nuk pret në kantierin e ndërtimit. “Ajo që lyhet, gërryhet ose zbardhet me gëlqere nuk do të mbajë gjatë,” thotë Barbara Schock-Werner, “sepse do të shkëputet nga lagështia në mure.”

Restaurimi i Notre-Dame tregoi shpejt se është një projekt gjigand, si nga pikëpamja financiare, ashtu edhe nga pikëpamja organizative dhe ajo politike. “Në fillim kolegët e Parisit duhet të ngrinin një ekip. Të gjitha bisedat e para u zhvilluan në një lokal që ndodhet aty afër.” Pastaj e rëndësishme ishte që të ruhej pjesa që ka mbetur e pa prekur nga zjarri: Të gjitha dritaret duhet të nxirreshin përjashta, vendet e dritareve duhet të përforcoheshin, presioni që ushtrojnë krahët mbajtëse mbi mure duhet të ulej. Ngarkesat e para duhet të vendosnin ekuilibrin. Lëndët e shkrira nga zjarri që i ishin ngjitur skeletit duhet të hiqeshin me kujdes. “Këto u bënë vitin e parë, sepse ekzistonte rreziku që të rrëzoheshin edhe harqet e tjera.”

Edhe marrëdhëniet gjermano- franceze nuk kaluan në vaj. “Gjermania do të restaurojë dritaret e Notre Damit,” njoftoi zyra e ndërtimit të Katedrales së Këlnit, në përvjetorin e parë të zjarrit. “Kjo shkaktoi indinjatë tek kolegët francezë, që kujtuan se po u merrej puna nga duart,” tregon Schock-Werner. Po ajo i qetësoi duke u shpjeguar se: “Jo, ne nuk mund dhe nuk do e bëjmë një gjë të tillë, ne do të merremi vetëm me një pjesë të punës.” Deri më sot katër, nga 300 xhamat e dritareve të bëra nga mjeshtri i qelqit Jacques Le Chevallier (1896-1987), nuk kanë mbërritur në Këln. Barbara Schock-Werner kërkon “më shumë kujdes diplomatik”.

Punimet në organon kryesore

Tani, tre vjet pas zjarrit të madh ka filluar restaurimi i organos kryesore. Ajo nuk u prek as nga zjarri, as nga punimet për shuarjen e zjarrit. Por ajo u mbyt nga pluhuri helmues. 19 krahët e saj janë duke u restauruar në një atelie. Një punishte tjetër është duke pastruar 8000 tubat e instrumentit nga lëndët helmuese. Hap pas hapi do të bëhet restaurimi i gjithë pjesëve të tjera të organos. Në verë do t’u vijë radha katër pjesëve të fryrjes së ajrit.

Premtimit të Emmanuel Macronit, që Katedralja të hapet për vizitorët gjatë Lojërave Olimpike në pranverë 2024, ekspertja nga Këlni i shton me zë të ulët pakënaqësinë e saj. “Ky afat ekziston. Këtë e ka vendosur presidenti”, thotë Barbara Schock-Werner, “kjo gjë e bën punën edhe më të vështirë se sa është.”
E pasigurt është nëse ndërtimi i skeletit të çatisë do të përfundojë deri atëherë. Deri në pranverë 2023 pritet të vendosen sërish të gjitha dritaret. Pastaj duhet prishur skela dhe nxjerrë jashtë, duhet instaluar organoja e restauruar dhe duhet bërë akordimi i saj.

Pra do kohë deri sa Notre-Dame të shkëlqejë sërish. “Por e hapur për vizitorët katedralja do të jetë që më 2024”. A do quhet ato ditë presidenti i shtetit ende Emmanuel Macron, këtë e tregojnë zgjedhjet që zhvillohen në mes të muajit prill./DW / KultPlus.com

Të ngjajshme