31 Korrik, 2024 - 10:34 am
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ftoi të gjithë të rinjtë e interesuar për t’u bërë pjesëmarrës në edicionin VIII, të Konkursit Kombëtar “Novelat Grafike Shqiptare 2024”.
“Bashkohuni me ne në rrugëtimin e kreativitetit dhe talentit në artin grafik! Nëse ende nuk ke aplikuar ne Konkursin Kombëtar “Novelat Grafike Shqiptare 2024”, ky është momenti yt për të ndarë idetë kreative në botën e veçantë të artit grafik!”, shkroi ministri Gonxhja.
Në këtë konkurs kombëtar mund të aplikojnë të rinjtë deri në moshën 29 vjeç dhe punimet më të mira do të vlerësohen me çmime. Data e aplikimeve u shty deri më 10 nëntor 2024.
Qëllimi i këtij aktiviteti kulturor është edukimi artistik dhe gjuhësor përmes vlerave të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, të aplikuara në gjininë e novelave grafike, si dhe mbajtja gjallë e kulturës popullore. Tematika e veprave duhet të bazohet në tematika shqiptare nga: trashëgimia kulturore, 80-vjetori i Çlirimit të Atdheut, letërsia shqiptare, legjenda dhe përralla, gojëdhëna, zakone dhe tradita, kinematografi shqiptare etj./atsh/KultPlus.com