26 Nëntor, 2019 - 6:51 pm
Paniku që përjetuam sot nga dy lëkundje të forta nuk ishte një situatë e pa paralajmëruar. Ishte 29 korriku i këtij viti kur Presidenti Ilir Meta dha alarmin për një tërmet apokaliptik që mund të godiste Ballkanin dhe si rrjedhojë edhe vendin tonë.
Alarmi ishte dhënë në Greqi për mundësinë e një tërmeti mbi 6 ballë.
Kjo vuri në lëvizje dhe Presidentin shqiptar. Në një shkresë dërguar Ministrisë së Mbrojtjes Ilir Meta, referuar deklaratës së sizmologut Akis Tselentis kërkoi të dijë nëse është marrë kontakt me të apo me institucionet e tjera të rajonit.
Një tjetër pyetje Presidenti ngre dhe për kapacitetet që ka Shqipëria në përballimin e ngjarjeve të tilla dhe masat që mund të jenë marrë nga Ministria e Mbrojtjes për të minimizuar pasojat nëse do të ketë një tërmet të tillë.
Në përfundim të shkresës Presidenti shprehet i gatshëm edhe të mbledhë Këshillin e Sigurisë qoftë edhe vetëm për këtë çështje.
Letra e plotë:
Nëpërmjet medies ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmologu i njohur zoti Akis Tselentis, drejtor I institutit gjeodinamik observatori kombëtar i Athinës. Sizmologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës
Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi unë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Evropë. Prandaj Shqipëria është një vend I kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.
Për sa më sipër kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:
Institucionet përgjegjëse a kanë kontaktuar me sizmologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?
Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj, nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet I përmasave të tilla.
Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qendror dhe vendor?
Nëse e gjykoni të domosdoshme jam I gatshëm të mbledh këshillin e sigurisë kombëtare qoftë edhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim I situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarët në radhë të parë.