“Nuk u ofrohet përparësi studentëve të mjekësisë në Qendrën e Studentëve, janë përzgjedhur ata që nuk mbajnë mësim fizik”

13 Nëntor, 2020 - 7:49 pm

Qendra e Studentëve gjatë ditës së sotme ka publikuar rezultatet për pranimin e studentëve në konvikte për këtë vit akademik. Mirëpo ndarja e studentëve dhe pranimi i tyre në këto konvikte ka ngjallur pakënaqësi tek studentë e Fakultetit të Mjekësisë, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Gëzim Abrashi, student në Fakultetin e Mjeksisë ka reaguar duke shkruar se shprehin pakënaqësi për keq menaxhimin, keqtrajtimin dhe vendimin jo të drejtë nga Qendra e Studentëve, të cilët sipas tyre kanë aplikuar standarde të dyfishta në lidhje me përzgjedhjen e studentëve për të banuar në konvikte.

Sipas tij në vend që përparësia tu ofrohet studentëve të mjekësisë që për shkak të praktikës që bëjnë gjatë javë në ambientet a fakulteteve janë të rrezikuar nga virusi Corona, janë përzgjedhur studentët që nuk mbajnë mësim fizik.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e tij të plotë:

Reagim!

Në emër të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë shpreh indinjatën time të thellë për keqmenaxhimin, keqtrajtimin dhe vendimin jo të drejtë duke aplikuar standarde të dyfishta në lidhje me përzgjedhjen e studentëve për të banuar në konvikte nga ana e menaxhmentit të Qendrës së Studentëve.

Mbi 1000 studentë të Fakultetit të Mjekësisë vijojnë mësimet praktike në më shumë se tri ditë të javës, kësisoj janë të rrezikuar nga virusi Corona, pastaj i rrezikojnë qytetarët gjatë përdorimit të transportit publik dhe njëkohësisht edhe familjet e tyre.

Në vend se të kemi përparësi dhe të kemi një numër të konsiderueshëm të vendeve në konvikte, padrejtësisht janë përzgjedhur 3/4 e aplikantëve nga Fakultetet të cilat nuk mbajnë mësim fizik.

Është plotësisht e padrejtë që studenti i Fakultetit të Mjekësisë t’i ndërrojë dy autobusë në një linjë ndërsa studenti i Fakultetit tjetër t’i mbajë ushtrimet online nga konvikti. Kjo është siç thotë populli:”Me prashitë në ujë!”.

E gjithë kjo është një padrejtësi e madhe dhe e patolerueshme e cila nxit protesta studentore. Qysh në ditën e hënë do t’i shkruajmë e-mail zyrtar drejtorit të QS për t’i shprehur pakënaqësitë që kemi në lidhje me mbarëvajtjen e procesit dhe do t’i bëjmë thirrje për rishqyrtim të listave./ KultPlus.com

Të ngjajshme