31 Tetor, 2019 - 2:00 pm
Me rastin e 106-vjetorit të botimit të parë të revistës “Hylli i Dritës”, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ekspozoi pasditen e djeshme në mjediset e Kalasë së Tiranës një pjesë të numrave të revistës së themeluar nga At Gjergj Fishta në tetor të vitit 1913.
Kjo ekspozitë sjell për publikun kopje origjinale të revistës e cila ka pasur një program të qartë atdhetar, politik e kulturor dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve.
Ekspozita vjen në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe Kalanë e Tiranës. Të pranishëm në prezantimin e saj ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido, zëvendësdrejtorja e Bibliotekës Kombëtare Etleva Domi, Frati Françeskan At Vitor Demaj dhe administratorja e Kalasë së Tiranës Klodiana Toptani.
Pjesëmarrësit panë me interes koleksionin që ruhet në Bibliotekën e DPA-së dhe në Bibliotekën Kombëtare. Publiku do ketë mundësi dhe gjatë gjithë ditës të sotme të shoh nga afër revistën e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin kulturor të Shqipërisë. /atsh/ KultPlus.com