NZZ: Vjosa Osmani një politikane që nuk përkon me stereotipin ballkanik

4 Mars, 2021 - 1:44 pm

“Vjosa Osmani përfaqëson një fytyrë të freskët, befasuese, të shtetit më të ri në Evropë. Vizita në Bernë e presidentes kosovare në detyrë të mërkurën rrit shpresat për një kapitull të ri në marrëdhëniet kosovare-zvicerane”.

Kjo është parë, veç tjerash edhe në praninë e konsiderueshme të mediave në konferencën për shtyp që ajo e mbajti të mërkurën, pas takimit me kryeparalmentarin zviceran, Andreas Aebbi.

Ndërsa gazeta prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) e përshkruan me entuziazëm profilin e mysafires së lartë nga Kosova, shkruan albinfo.ch.

“Vjosa Osmani përfaqëson një fytyrë të freskët, befasuese, të shtetit më të ri në Evropë. Vizita në Bernë e presidentes kosovare në detyrë të mërkurën rrit shpresat për një kapitull të ri në marrëdhëniet kosovare-zvicerane”, shkruan Georg Häsler Sansano, gazetar që më parë ka punuar si korrespondent ballkanik për mediat zvicerane

“Një anglishte e kultivuar, me tingull amerikan, deklarata politikisht të mprehta, përmbajtjesore në vend të frazave të gjata, e arsimuar mirë, e re, nënë e binjakëve: Vjosa Osmani nuk korrespondon aspak me stereotipin e politikanit ballkanas, konstaton gazetari.

“Keni të drejtë, është një stereotip dhe jo realitet”, thotë presidentja aktuale e Kosovës në hapje të bisedës me NZZ: “Unë përfaqësoj imazhin e shumicës dërrmuese të popullatës kosovare – veçanërisht të popullatës së re”.

Osmani është juriste dhe ka kryer doktoraturën në Shtetet e Bashkuara. Së bashku me Albin Kurti, udhëheqës i lëvizjes Vetëvendosje, ajo ishte një nga fituesit e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt, transmeton albinfo.ch. Populli kosovar ka realizuar kështu një ndryshim pa ndonjë ndërhyrje të jashtme: larg komandantëve dominues të luftës dhe strukturave të tyre, drejt diçkaje të re.

Vullneti i mirë i Zvicrës

Pritjet e popullsisë së re të vendit janë të mëdha, ashtu si dhe sfidat. “Për herë të parë u dëgjua thirrja e njerëzve, nuk është thjesht një thirrje, por është klithje për ndryshim”, thotë Osmani, duke komentuar suksesin e zgjedhjeve. “Tani, ajo që ne kemi për të dhënë është: punë dhe drejtësi.”

Së bashku me Albin Kurtin, ajo në fushatën zgjedhore kishte premtuar punë dhe sundimin e ligjit. Sot, një e katërta e popullatës kosovare është e papunë. Besimi në institucionet shtetërore është përtokë. Klasa e mëparshme sunduese shihet si e korruptuar, në disa raste edhe e lidhur me krimin e organizuar.

Njerëzit në Kosovë i kanë të njohura premtimet e fryra të politikanëve. Osmani e di se: “Njerëzit në Kosovë janë shumë të durueshëm, ata ju japin një shans, por ne nuk duhet t’i zhgënjejmë ata!”. Sigurisht, jo të gjitha problemet mund të zgjidhen brenda natës, por tani ekziston një perspektivë e re për Kosovën.

Ajo dëshiron të japë një shembull të mirë dhe, mbi të gjitha, të prezantojë frymën e meritokracisë: ata që realizojnë diçka, shkojnë përpara dhe kanë për të thënë diçka, përcjell albinfo.ch. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më përpara në Kosovë, thotë Osmani në intervistë për NZZ.

Para mediave në Bernë, mysafires nga Kosova ju premtua shumë vullnet i mirë nga kryetari i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, Andreas Aebi . Zgjedhjet kanë paralajmëruar një epokë të re politike në Kosovë. Shpresat e diasporës kosovare në Zvicër që sundimi i ligjit të përmirësohet dhe që korrupsioni dhe krimi i organizuar do të luftohen, janë të mëdha: “Unë mund vetëm t`i bashkohem kësaj shprese”, është shprehur Aebi. Kjo gjithashtu do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët.

Osmani shpreson që Zvicra do të punojë për të siguruar që popullata kosovare të mos ketë nevojë për vizë. Deri më sot, kosovarët nuk mund të hyjnë lirisht në zonën Shengen. Pika më e ulët në marrëdhëniet zvicerane-kosovare ishte shkëputja e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore (në vitin 2010, nga ana zvicerane), transmeton albinfo.ch. Asnjë pension nuk ishte paguar në Kosovë nga Zvicra në mes të viteve 2010 dhe 2019. Sindikatat dhe SP (Partia Socialdemokrate)  u dalluan si avokatë të kosovarëve.

“Problemet nuk janë të natyrës ideologjike”

Socialdemokratët dhe veçanërisht bashkëkryetari i kësaj partie, Cédric Wermuth kanë bërë në të kaluarën një fushatë të fuqishme për Albin Kurtin dhe partinë e tij. Lëvizja është jashtëzakonisht e popullarizuar në mesin e të rinjve zviceranë me prejardhje kosovare. Shumë ithtarë të Kurtit janë gjithashtu anëtarë të Partisë Socialdemokrate, në Zvicër.

Kurti dhe Osmani janë të dy intelektualë, por kanë sfond të ndryshëm prapa vetes, përcjell albinfo.ch. Albin Kurti ka filluar jetën e tij politike si aktivist kundër dominimit serb në Kosovë gjatë viteve 1990 dhe qe detyruar të mbante burg për këtë.

Ai më vonë ka luftuar për vetëvendosje dhe ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për “sjelljen e saj koloniale” në marrëdhëniet me Kosovën.

Osmani, nga ana tjetër, vjen nga partia më konservatore e Ibrahim Rugovës, përfaqësuesit të rezistencës paqësore kundër Serbisë. Në zgjedhje, ajo ka garuar me listën e saj, por në një koalicion të lidhur me Kurtin, përcjell albinfo.ch. Ai do të bëhet kryeministër, Osmani president.

A përfaqëson ajo (Vjosa Osmani) “korrigjimin” e politikës së majtë të Kurtit?

Sigurisht, ata u përmbahen dy ideologjive të ndryshme politike, përkatëse, thotë Osmani. Por Kurti është zhvendosur drejt qendrës, ai është socialdemokrat. “Ne kemi pasur sukses në zhvillimin e një programi të përbashkët që përmban pozicione të qendrës së majtë si dhe të qendrës së djathtë”.

Problemet e Kosovës nuk janë ideologjike. “Nëse duam të luftojmë sistemin e korruptuar, atëherë asnjë ideologji nuk duhet të na ndajë, përcjell albinfo.ch. Kjo gjithashtu do të na mbajë bashkë”, shprehet e bindur Osmani.

Për të pasur stabilitet dhe perspektivë reale, Kosovës i duhet një traktat paqeje me Serbinë. Por të dy palët këmbëngulin në kërkesat maksimale. Zvicra ndan përgjegjësinë për të kontribuar në një zgjidhje.

Si një vend neutral, ajo qe ekspozuar shumë dhe kishte njohur Kosovën si shtet, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2008. Zvicra gjithashtu ka edhe lidhje njerëzore me Kosovën, falë diasporës së madhe. Edhe në kohën e pandemisë mbahet “ura ajrore”, gjegjësisht zhvillohen disa fluturime në ditë ndërmjet Prishtinës dhe tre aeroporteve kombëtare zvicerane.

Në vitet e fundit, për të zgjidhur konfliktin, është propozuar shkëmbimi i territoreve: veriu i Kosovës me shumicë serbe duhej të shkonte në Serbi ndërsa një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, në Kosovë.

Në prapaskenë, Zvicra është angazhuar shumë kundër ndryshimeve të kufijve. Tani, si rezultat, asaj do t’i duhet gjithashtu të bëjë përpjekje kundër një bashkimi midis Kosovës dhe Shqipërisë, bashkim me të cilin Albin Kurti po flirton edhe sot e kësaj dite. Për momentin, ideja nuk mund të ketë shumë shanse dhe përdoret kryesisht si një kundërpeshë në negociatat me Serbinë.

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani bën të qartë për NZZ se marrëveshja e koalicionit përcakton se nuk do të ketë ndërrime kufijsh – dhe as ndryshime kushtetuese (që do të ishte e nevojshme për një projekt bashkimi Kosovë – Shqipëri).

“Ne jemi pajtuar për prioritetet: Në Kosovë ka ende vende pa ujë të rrjedhshëm ose pa energji elektrike. Ky është fokusi ynë”.

Sa i përket Beogradit, çështja ka të bëjë me njohjen e realiteteve, thotë Osmani: “Ka shumë çfarë për tu diskutuar në tryezën e bisedimeve, por sigurisht nuk diskutohet sovraniteti i Kosovës”, transmeton albinfo.ch. Pikërisht për arsyen për të cilën presidentja në detyrë u prit me krahë hapur në Bernë, diplomacia zvicerane duhet të promovojë një dialog konstruktiv midis Prishtinës dhe Beogradit”, përfundon NZZ./albinfo.ch/ KultPlus.com

Të ngjajshme