Oaz i gjelbër kushtuar librit në sheshin “Nënë Tereza”, instalacioni përfundon në 6 muaj

12 Shkurt, 2025 - 3:45 pm

Një oaz i gjelbër kushtuar librit, që vjen në harmoni të plotë me mjedisin dhe i shërben publikut si një ambient çlodhës, do të integrohet brenda këtij viti në “Sheshin Nënë Tereza”, në Tiranë.

E pranishme në takmin që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, për prezantimin e projektit të ri në kuadër të rijetëzimit të “Sheshit Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër kushtuar librit, arkitektja Frida Pashako, tha se, “ky objekt vjen si një projekt i konceptuar në bashkëpunim me arkitektin austriak, pas një studimi të mirëfilltë që rri në harmoni të plotë me ansamblin arkitekturor në “Sheshin Nënë Tereza”, dhe i përgjigjet nevojës për një hapësirë dedikuar publikut”.

“Sheshet kryesor të Tiranës, “Nënë Tereza” dhe ai “Skënderbej” janë dy pole të rëndësishme të Tiranës të orientuara veri- jug, që karakterizojnë zhvillimin e të gjithë qytetit. Këto dy sheshe kanë një vlerë historike monumentale për arkitekturën që kanë, të ndërtuar nga arkitekt të njohur, ku godina me rëndësi shumë të veçantë paraqesin tiparet nacionaliste të vendit tonë”, u shpreh Pashako.

Ajo tha se, studiues të huaj lokal i kanë studiuar dhe kanë propozuar që ansambli i objekteve në kryeqytet të bëhet pjesë e UNESKO-s  për vlerat arkitektonike

Ndaj në këto vite, theksoi ajo, është punuar për ruajtjen dhe restaurimin e tyre duke i kthyer në një simbolikë apo në një nga kartolinat e qytetit tonë.

“Sheshet monumentale kanë karakteristikat e tyre për sa i takon përdorimit nga qytetarët. Ndaj bashkë me arkitektin austriak kemi menduar që kjo hapësirë të bëhet një hapësirë publike apo një ishull urban dhe jo vetëm një vend kalimi për trafikun. Kjo është ajo që ka sjellë projekti nga studio austriake dhe kemi arritur të gjejmë një ekuilibër midis sfidave klimaterike që gjithmonë janë të rëndësishme dhe një hapësire fleksibël një hapësirë që mund ti dedikohet librit apo artit dhe një strehëz e re  për qytetarët në mes të këtij sheshi”, tha Pashako.

Ajo sqaroi se ndërkohë po studiohet mënyra e qarkullimit të mjeteve rreth këtij ishulli të gjelbër.

“Projektin e kemi marrë donacion nga studio e arkitekturës austriake dhe objekti do të jetë një instalacion i lehtë i lëvizshëm dhe brenda 6 muajve kjo strukturë do të mbarojë për të qenë në përdorim nga qytetarët”, u shpreh Pashako. / KultPlus.com

Të ngjajshme