31 Maj, 2024 - 5:29 pm
Memoriali i Kardinalit të parë shqiptar Mikel Koliqi do të qëndrojë nga sot në Gjazë të Lushnjës, ku ai jetoi si i internuar për 10 vite gjatë diktaturës komuniste.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast morën pjesë autoritetet fetare të Kishës katolike dhe ortodokse, autoritetet e bashkisë Lushnjë dhe qytetarë të shumtë që nderuan veprën e kardinalit Koliqi, një prej figurave të shkëlqyera të rezistencës fetare dhe antikomuniste.
Obelisku prej mermeri u vendos në vendin e vuajtjeve të internimit ndërsa në ceremoni ishte i pranishëm ambasadori i Vatikanit në Shqipëri Luixhi Bonaci si dhe arqipeshkv i dioqezës Shkodër Anxhelo Masafra.
Ambasadori i Vatikanit lexoi mesazhin e papës ditën e vdekjes së Mikel Koliqit, ndërsa bashkëvuajtesit e internimit folën mbi kujtimet e tyre dhe figurën e Koliqit.
Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t’i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos.
Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës.
U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës “Kumbona e së Dieles”. Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.
Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan.
Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin “Pishtar i demokracisë”, më pas me titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.
Një jetë e veçantë ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për fé e atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit./atsh/KultPlus.com