27 Mars, 2024 - 4:00 pm
Një në gjashtë fëmijë në shkollë është i prekur nga bullizmi kibernetik, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili u publikua sot në Kopenhagë.
Dhuna në internet në veçanti është rritur ndjeshëm që nga raporti i mëparshëm në vitin 2018. Raporti aktual i referohet të dhënave për periudhën 2018-2022.
Rreth 15% e nxënësve kishin përjetuar ngacmime kibernetike. Përqindja e viktimave midis djemve u rrit nga 12% në raportin e 2018 në 15% dhe midis vajzave nga 13% në 16%.
Rreth një në tetë nxënës shkolle të moshës 11 deri në 15 vjeç deklaruan se tashmë kishin ngacmuar dikë në platformat dixhitale.
Ndërsa 11% e djemve deklaruan në raportin e vitit 2018 se kishin ngacmuar dikë në hapësirën dixhitale, kjo shifër tani është rritur në 14%. Për vajzat, shifra u rrit nga 7% në 9%.
Raporti u fokusua në modelet e bullizmit dhe dhunës midis fëmijëve dhe të rinjve. Ai analizoi të dhënat nga më shumë se 279 000 të rinj.
Sondazhi më i fundit në 2021/2022 është kryer në 44 vende dhe rajone në Evropë, Azinë Qendrore dhe Kanada.
Sipas raportit, numri i incidenteve të bullizmit në shkolla në përgjithësi ka mbetur relativisht i qëndrueshëm.
Rreth 11% e nxënësve thanë se ishin ngacmuar në shkollë, ndërsa 6% deklaruan se kishin ngacmuar dikë në shkollë. Kjo sjellje ishte më e zakonshme tek djemtë (8%) sesa tek vajzat (6%).
Një në 10 të rinj ishte përfshirë tashmë në përleshje fizike, me një dallim të qartë midis gjinive: 14% e djemve në krahasim me vajzat me 6%.
“Me të rinjtë që kalojnë deri në 6 orë në internet çdo ditë, edhe ndryshimet e vogla në shkallën e ngacmimit dhe dhunës mund të kenë implikime të thella për shëndetin dhe mirëqenien e mijëra njerëzve. Duhet të merret një angazhim për të mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe dëmtimi, si në internet ashtu edhe jashtë tij”, thuhet ne raport./atsh / KultPlus.com