21 Nëntor, 2021 - 1:00 pm
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se është “shumë e shqetësuar” për rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Evropë.
Duke folur për BBC-në, më 20 nëntor, drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge paralajmëroi se rreth 500,000 vdekje mund të regjistrohen deri në muajin mars, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente.
Paralajmërimi i tij pasoi njoftimet e Çekisë dhe Sllovakisë për numër rekord të rasteve të reja me COVID-19. Edhe vende tjera evropiane kanë raportuar për përkeqësim të situatës me pandeminë.
Kluge tha se janë në numër faktorësh që kanë ndikuar në këtë përfshirë vaksinimin e pamjaftueshëm, sezonin e dimrit dhe dominimin rajonal të variantit shumë të transmetueshëm Delta.
Më parë gjatë javës, Austria ka njoftuar një bllokim kombëtar duke filluar nga 22 nëntori, ndërsa vende si Republika Çeke dhe Sllovakia kanë thënë se po vendosin kufizime të reja ndaj njerëzve që nuk janë të vaksinuar.
Javën e kaluar Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm tre-javor për të parandaluar përhapjen e COVID-19 pasi gjatë periudhës së fundit është shënuar rritje e rasteve të reja me koronavirus. /REL/KultPlus.com