29 Dhjetor, 2021 - 11:19 am
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se rreziku që e paraqet varianti Omicron i koronavirusit është ende shumë i lartë, pasi numri i infeksioneve në nivel botëror javën e kaluar u rrit për 11 për qind.
Gjatë përditësimit javor të gjendjes me pandeminë, OBSh-ja tha se varianti Omicron është prapa rritjes së numrit të rasteve në disa shtete, përfshirë ato që tashmë e kanë tejkaluar variantin Delta, shkruan France24.
“Rreziku i përgjithshëm në lidhje me variantin e ri shqetësues, Omicron, mbetet shumë i lartë. Dëshmitë e vazhdueshme tregojnë se varianti Omicron e ka përparësinë e rritjes në raport me variantin Delta me kohë të dyfishimit prej dy deri tri ditësh dhe rritje e madhe e përhapjes së rasteve shihet në një numër shtetesh”, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sidoqoftë, OBSh-ja e theksoi rënien prej 29 për qind në përhapjen e rasteve në Afrikën Jugore, shteti që i pari e raportoi variantin e ri në Organizatën Botërore të Shëndetësisë më 24 nëntor.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se të dhënat e hershme nga Britania e Madhe, Afrika Jugore dhe Danimarka, që tash për tash e ka shkallën më të lartë të infeksioneve për numër banorësh në botë, sugjerojnë se ekziston rrezik më i vogël për hospitalizim nga varianti Omicron në krahasim me variantin Delta./KultPlus.com