1 Dhjetor, 2020 - 3:48 pm
Kombet e Bashkuara bënë thirrje të martën për një mbështetje financiare në nivelin rekord prej 35 miliardë dollarësh për t’u dhënë mbështetje humanitare 160 milionë njerëzve, ndërsa pasojat ekonomike nga pandemia e koronavirusit i ka shtrënguar miliona njerëz drejt varfërisë ekstreme në mbarë botën.
“Konflikti, ndryshimet klimatike dhe COVID-19 kanë krijuar sfidën më të madhe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një mesazh të regjistruar.
Ai u bëri thirrje donatorëve të ndihmojnë njerëzit që rrezikohen më shumë “në orën më të errët të nevojës së tyre”.
OKB-ja thotë se nevojat reale janë edhe më të larta. Rreth 235 milionë njerëz, ose një në çdo 33 persona në planet, kërkon ndihmë ose mbrojtje. Kjo është një rritje me 40% gjatë vitit 2020.
Ka mbi 63 milionë raste të konfirmuara në mbarë botën me COVID-19, sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, i cili ka regjistruar rastet e pandemisë që në fillimet e saj. Gati 1.5 milion njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra milionë të tjerë kanë humbur vendet e punës dhe mjetet për të siguruar jetesën gjatë masave të izolimit të imponuara për të ndalur përhapjen e virusit.
“Nuk është vetë sëmundja, megjithëse është shumë e hidhur…, ajo që po dëmton njerëzit në vendet e prekshme. Është ndikimi ekonomik”, u tha gazetarëve drejtuesi i operacioneve humanitare të OKB-së, Mark Lowcock. “Rritja e çmimit të ushqimeve, rënia e të ardhurave, rënia e kursimeve, ndërprerja e programeve të vaksinave, mbyllja e shkollave – godasin më të varfërit në vendet më të varfëra”.
OKB-ja ka paralajmëruar tashmë për nivele në rritje të urisë në shtatë vende, që mund të çojnë në zi buke vitin tjetër, nëse nuk ofrohet asistencë. Këto vende janë Afganistani, Burkina Faso, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia, Nigeria, Sudani Jugor dhe Jemeni. Dy javë më parë, OKB-ja shpërndau 100 milionë dollarë nga një fond emergjence, në përpjekje për t’i paraprirë përkeqësimit të mëtejshëm.
Por, dhjetëra vende të tjera po përballen me sfida ekstreme dhe kërkojnë mbështetje të shtuar.
Zoti Lowcock tha se për herë të parë që nga vitet 90-të, nivelet globale të varfërisë ekstreme do të rriteshin, duke rrezikuar zhbërjen e progresit prej disa dekadash.
“Nëse nuk ka mbështetje për vendet më të varfra, periudha pas pandemisë do të jetë më e gjatë dhe më e ashpër, duke sjellë kaos dhe anarki”, tha ai.
Zoti Lowcock tha se kjo nuk është në interesin e vendeve më të pasura. Megjithëse 35 miliardë dollarë mund të tingëllojë si një shumë e lartë, vendet më të pasura të botës kanë injektuar triliona dollarë në ekonomitë e tyre për të ruajtur shoqërinë e tyre.
“Ndërsa i afrohemi fundit të një viti të vështirë, përballemi si komunitet ndërkombëtar me zgjedhjen: A do ta lejojmë këtë pandemi të zhbëjë dekada progresi, apo do të veprojmë tani duke bërë diçka?”, tha ai.
Këtë vit, programet humanitare të OKB-së kanë ndikuar tek gati 100 milionë njerëz në 25 vende. Thirrja për donacione gjatë vitit 2020, e cila u rishikua për të përfshirë fondet për reagimin ndaj COVID-19, OKB-ja u kërkoi donatorëve gati 39 miliardë dollarë. Në fund të nëntorit, organizata kishte marrë rreth 22 miliardë, duke i lënë disa programe me fonde të pamjaftueshme/VOA/ KultPlus.com