22 Janar, 2022 - 3:56 pm
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të enjten një rezolutë të përgatitur nga Izraeli, që dënon çdo mohim të Holokaustit dhe u kërkon të gjitha kombeve dhe kompanive të mediave sociale, “të marrin masa aktive për të luftuar antisemitizmin dhe mohimin ose shtrembërimin e Holokaustit”.
Rezoluta u miratua në prani të një grupi njerëzish që i mbijetuan gjenocidit nazist që vrau rreth gjashtë milionë hebrenj, rreth dy të tretat e popullsisë hebreje të Evropës, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Votimi vjen në të njëjtën ditë, 80 vjet më parë, gjatë Konferencës së Wansee, kur zyrtarët e lartë nazist diskutuan dhe koordinuan gjenocidin e popullit hebre, duke krijuar sistemin e kampeve naziste të vdekjes.
Duke prezantuar rezolutën, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, vetë nip i viktimave të Holokaustit, Gilad Erdan, tha se bota jeton “në një epokë në të cilën trillimet tani po bëhen fakt dhe Holokausti po bëhet një kujtim i largët”.
“Mohimi i Holokaustit është përhapur si kancer, është përhapur nën vëzhgimin tonë”, paralajmëroi ai.
Sipas rezolutës, ky gjenocid “do të jetë përgjithmonë një paralajmërim për të gjithë njerëzit për rreziqet e urrejtjes, fanatizmit, racizmit dhe paragjykimeve”.
Në tekst, Shtetet Anëtare shprehin shqetësimin për “prevalencën në rritje të mohimit ose shtrembërimit të Holokaustit nëpërmjet përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit”.
Ai gjithashtu u kërkon të gjitha shteteve anëtare të “refuzojnë pa asnjë rezervë çdo mohim ose shtrembërim të Holokaustit si një ngjarje historike, plotësisht ose pjesërisht, ose çdo aktivitet për këtë qëllim”. /KultPlus.com