7 Prill, 2022 - 6:16 pm
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.
Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan.
Befasia në këtë votim ishte rreshtimi i Serbisë përkrah vendeve perendimore, duke votuar “pro” pezullimit të Rusisë nga OKB-ja.
Pezullimet janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të liderit të atëhershëm Muammar Gaddafi.
Rezoluta e miratuar nga drafti i Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh shpreh “shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë”, veçanërisht për raportet për abuzime të të drejtave nga Rusia. /KultPlus.com