23 Qershor, 2021 - 3:01 pm
Ngrohja globale mbi nivelin e përcaktuar nga marrëveshja e Parisit për klimën do të ketë “pasoja të pakthyeshme mbi njerëzimin”.
Me 2 gradë më shumë në vend të 1,5, gati 420 milionë persona do të përballeshin me “valë të nxehtit ekstrem”, dhe 80 milionë të tjerë do të kërcënoheshin nga uria. Draft-raporti i grupit ndërqeveritar për ndryshimet klimatike pranë Kombeve të Bashkuara është alarmues.
Ai flet për mungesa uji, eksode të mëdha, kequshqyerje e deri dhe zhdukje të specieve: jeta në Tokë siç e njohim ne do të transformohet në mënyrë të pashmangshme nga ndryshimi i klimës kur fëmijët e lindur në 2021-shin të kenë mbushur 30 vjeç, e ndoshta edhe më përpara, paralajmërojnë ekspertët.
Cilido qoftë niveli i reduktimit të gazeve shkaktare të efektit serë, ndikimi shkatërrues i ngrohjes globale mbi natyrën dhe njerëzimin do të shpejtohet, thuhet në raport, dhe do të bëhet i prekshëm që përpara 2050-tës.
“Jeta në Tokë mund ta marrë veten nga ndryshimet drastike të klimës duke evoluar përmes specieve të reja e duke krijuar të tjera ekosisteme, por njerëzimi jo”, vazhdon drafti.
Raporti prej 4000 faqesh, është shumë më shqetësues se ai i mëparshmi i 2014-tës dhe synon të ndikojë mbi vendimet e ardhshme politike me shpresën të ketë hapa konkretë. / Gazeta Express / KultPlus.com