6 Tetor, 2023 - 3:29 pm
Kombet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin e aktivistes së burgosur iraniane të të drejtave të njeriut, Narges Mohammadi, pasi ajo fitoi sot çmimin Nobel për Paqen për vitin 2023.
“Gratë në Iran kanë qenë një burim frymëzimi për botën. Ne kemi parë guximin dhe vendosmërinë e tyre përballë hakmarrjes, frikësimit dhe dhunës”, tha Liz Throssell, zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.
”Ne bëjmë thirrje për lirimin e saj dhe lirimin e të gjithë mbrojtësve të të drejtave të njeriut të burgosur në Iran”, shtoi ajo.
Zëdhënësja e OKB-së Alessandra Vellucci tha se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres “ka qenë shumë i qartë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të grave dhe vajzave në Iran”.
Aktivistja iraniane, Narges Mohammadi fitoi sot çmimin Nobel për Paqen.
Ajo ndodhet aktualisht në një burg në Republikën Islamike, ku gratë e pambuluara po nxisin emancipimin, pavarësisht represionit.
”Aktivistja dhe gazetarja 51-vjeçare po shpërblehet për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë”, tha presidentja e komitetit norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, në Oslo.
”Kur në Iran shpërthyen protestat për barazinë e grave vitin e kaluar, nga burgu ajo shprehu mbështetje për demonstruesit”, tha Berit Reiss-Andersen.
”Mohammadi është një grua, një avokate e të drejtave të njeriut dhe një luftëtare lirie”, shtoi ajo.
”Komiteti Norvegjez i Nobelit nderon luftën e saj të guximshme për të drejtat e njeriut”, theksoi presidentja.
”Ky çmim është vlerësim edhe për qindra mijëra njerëz që kanë demonstruar kundër regjimit iranian”, tha Reiss-Andersen.
Edhe Komiteti i Nobelit tha se shpresonte që Irani të lironte Narges Mohammadin./ atsh / KultPlus.com