23 Shkurt, 2022 - 5:29 pm
Sipas raportit më të fundit të Organizatës të Kombeve të Bashkura, ndryshimet klimatike do të bëjnë zjarret gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive, me një rritje globale të atyre ekstreme deri në 14% brenda 2030-ës, 30% brenda 2050-ës dhe 50% brenda këtij shekulli, shkruan The Guardian.
Analiza sugjeron një ndryshim radikal në shpenzimet publike për zjarret, duke zhvendosur investimet në parandalimin e tyre. Raporti i realizuar nga OKB vë në dukje se ndryshimi klimaterik dhe zjarret ushqehen nga njëri tjetri. Për këtë arsye qeveritë duhet të marrin masa për një formulë të re anti-zjarre.
Për parandalimin e zjarreve, autorët e raportit kërkojnë një kombinim të të dhënave dhe sistemeve të monitorimit të bazuar në shkencë, njohuri indigjene dhe një mbashkëpunim më të fortë rajonal dhe ndërkombëtar.
Sipas tyre, reagimet e qeverive shpesh i drejtojnë paratë në vendin e gabuar. Prioritet duhet të jenë operatorët e shërbimeve të emergjencës dhe zjarrfikësit që janë në linjë të parë dhe rrezikojnë jetën në shuarjen e zjarreve.
Duke parë se zjarret ndodhin më shpesh në zonat më të varfëra të botës, raporti sugjeron investime në rindërtimin e ekosistemeve dhe zonave me lagështirë. Raporti vë në dukje dhe një rrezik të lartë për Arktikun dhe rajonet e tjera që ende nuk janë prekur nga zjarret./abcnews.al/ KultPlus.com