17 Prill, 2022 - 12:39 pm
Luan Rama
Dy ditë parë duke folur me video me Omer Kaleshin më pyeti se kur do të shkoja ta shikoja në shtëpinë e tij në Stamboll. Në fillim të majit, i premtova. Por sot mora vesh se dje miku im i mrekullueshëm nuk do ti shihte më krijimet e tij, pikturën që aq shumë e deshi. Një piktor që nuk punon thua se ka vdekur, më thoshte shpesh në spital si ta ndjente këtë. Dhe kishte të drejtë.
Njëzet vjet më parë kisha shkuar me të të shikonim varrin e prindërve të tij rrethuar nga selvitë jo larg Bririt të Artë. Më së fundi Omer Kaleshi shkoi dje të përshëndesë atin dhe nënën e tij pranë Bririt të Artë, buzë Bosforit.
Atelieri i tij mbeti jetim përjetësisht. Ai nuk do të lutet më para tyre, pasi krijimi për të ishte një lloj lutje. Autoportretin e fundit që la mbi kavalet, mbeti i pambaruar!
Omeri lutet
Omeri «lutet» çdo ditë
në ritin e tij piktural ballë kavaletit
suretet e tij janë tablo, koka
dervishë që kanë pirë verë në tryezën e tij të drunjtë,
fqinjët poshtë ndjejnë këmbët e tyre që rrahin,
atelieri i ngjan një skene hyjnore,
një copëz qielli tej xhamit,
veç një këmbë me një çorape nderet në tavan,
koka e Jezusë e shikon paqësisht nga një ikonë ortodokse,
bariu në miniaturë ka kohë që fle mbi oxhak,
«ney» kumbon dhe shpërndahet me hare tej dritares,
Omeri lutet i përkulur mbi paletë,
me spatulën e tij rrëmben pak të zezë,
pastaj të gjelbërt të zezë okër
dhe dansi bektashi vazhdon gjer në ag
«Ne jemi vetë Zoti», thonë dervishët
«sepse Zoti është brenda nesh»,
pastaj ata braktisin tablotë në korniza
dhe sillen rreth atelierit në ekstazën e tyre,
në vorbullën mistike që ngrihet lart,
Omeri lutet gjithnjë me heshtjen e tij proverbiale
me spatulën e tij në atë dorë ngritur
si një muzikant popullor ardhur nga rruga e gjatë e Konjas
kështu, nga mbrëmja në ag,
Omeri lutet bashkë me dervishët e tij
që krijohen nga paleta e tij e zjarrtë… /KultPlus.com