19 Gusht, 2019 - 2:00 pm
Ky dokumentar rrëqethës qëmton historinë – dhe pasojat brutale – të politikës kineze për një fëmijë në familje.
Dokumentari, “One Child Nation” bën një analizë të fortë, të prerë të së tashmes kineze përmes së kaluarës së saj. Tema kryesore është politika disa-dekadëshe, të cilën e kishte mbështetur shteti në vitet shtatëdhjetë, për ta kufizuar rritjen e popullsisë.
Në dhjetor të 1982-s, Kina e ratifikoi Kushtetutën që përmbante udhëzimin: “Si bashkëshorti, ashtu edhe bashkëshortja e kanë për detyrë të ushtrojnë planifikim familjar”. Një nen tjetër kushtetues, i formuluar në mënyrë të paqartë, e shpaloste megjithatë rrezikun e lidhur me këtë obligim: “Shteti promovon planifikimin familjar, në mënyrë që rritja e popullsisë t’iu përshtatet planeve për zhvillim ekonomik dhe social”.
Brenda 89 minutash, regjisorët Nanfu Wang dhe Jialing Zhang e zbërthejnë atë rrezik – dhe çfarë nënkuptonte ai për qytetarët, posaçërisht gratë – në mënyrë të qartë, koncize dhe brutale. Është film i rëndë për t’u shikuar; herë pas here bëhet i padurueshëm.
Ka pamje që do të doje të mos i shihje kurrë. E kam shikuar “One Child Nation” dy herë, shpesh me sy të përlotur. Është rrëfim i një beteje në luftën e vazhdueshme mbi trupat e grave, betejë kjo që sipas Wangut, nuk është e kufizuar vetëm brenda Kinës. (Më 2015, Kina i dha fund kësaj politike për një fëmijë në familje, duke iu lejuar çifteve të martuara që të kenë dy fëmijë).
Wang është narratore e rrëfimit. Pas tekstit fillestar, filmbërësit nisin që ta shpalosin rrëfimin e Wangut, që e përfshin tërë filmin dokumentar, duke e ndërlidhur personalen me politiken. (Si Wang, ashtu edhe Zhang janë lindur në Kinë).
Duke folur në anglishte dhe duke e përdorur një kombinim të materialeve arkivore dhe atyre të xhiruara, Wang e prezanton familjen e saj, përfshirë vëllanë e vogël, të cilin familja do ta braktiste, po të lindte vajzë.
E lindur më 1985, Wang tani jeton në New York, por lindja e djalit të saj e kthen emocionalisht në Kinë. /KultPlus.com