OpenAI refuzon ofertën e blerjes për 97 miliardë dollarë nga Elon Musk

15 Shkurt, 2025 - 12:00 pm

OpenAI ka refuzuar zyrtarisht ofertën prej 97.4 miliardë dollarësh nga Elon Musk për të blerë kompaninë.

“OpenAI nuk është në shitje dhe bordi ka refuzuar njëzëri përpjekjen e fundit të zotit Musk për të prishur konkurrencën e tij,” tha Kryetari i Bordit të OpenAI, Bret Taylor në një deklaratë të postuar në X.

Avokati i OpenAI, William Savitt, në një letër drejtuar avokatit të Musk të premten tha se propozimi “nuk është në interesin më të mirë të misionit të OAI-t dhe refuzohet”.

Një grup investitorësh të udhëhequr nga Elkon Musk bënë ofertën e pakërkuar për OpenAI në fillim të kësaj jave, mes qëllimit të firmës për t’u bërë një entitet fitimprurës.

Miliarderi tha të mërkurën se do të hiqte dorë nga oferta nëse Open AI ndalonte zhvendosjen e saj fitimprurëse.

OpenAI njoftoi planet për të ristrukturuar kompaninë si një korporatë me përfitim publik në fund të dhjetorit. Firma e AI, e cila filloi si një organizatë jofitimprurëse, aktualisht ka një strukturë unike në të cilën organizata jofitimprurëse e saj kontrollon njësinë fitimprurëse.

Musk, i cili ndihmoi në themelimin e OpenAI në vitin 2015, e ka paditur vazhdimisht CEO-n e kompanisë Sam Altman gjatë vitit të kaluar për dyshime se është larguar nga misioni fillestar./KultPlus.com

Të ngjajshme