11 Tetor, 2019 - 9:00 am
Oprah Winfrey i ka dhuruar 13 milionë dollarë për një universitet të njohur në Georgia.
Një javë pasi ia dhuroi mbi 1 milion dollarë United Negro College Fund, magnatja e mediave ia ka shkruar një çek Kolegjit Morehouse në Atlanta.
Universiteti është themeluar 160 vjet më parë për t’i arsimuar meshkujt afrikano-amerikanë.
Oprah e bëri njoftimin për donacionin e saj të fundit derisa po fliste në kolegj, ku ajo ishte duke u nderuar për një donacion të mëparshëm prej 12 milionë dollarësh vite më parë, i cili ka ndihmuar në mbulimin e shkollimit të pothuajse 600 studentëve, shkruan KOHA Ditore.
Winfrey ndodhet në Atlanta pasi e ndihmoi mikun e saj Tyler Perry ta lansonte kompleksin e tij të ri të studios në qytet gjatë fundjavës.
Donacioni i saj i përgjithshëm prej 25 milionë dollarësh për Morehouse është më i madhi që i është dhënë shkollës ndonjëherë.
“Mezi po pres që të shoh se çfarë do të bëjnë (studentët) me të ardhmen e tyre,” tha Oprah derisa e bëri publik donacionin e saj të fundit. / KultPlus.com