21 Shtator, 2020 - 2:22 pm
Për më shumë se 20 vite, Metronome, e cila është një orë elektronike 15-shifrore me gjerësi 62 metra përballë Union Square në Manhattan, ka qenë një nga projektet më të spikatura të artit të qytetit, shkruan The New York Times, përcjell KultPlus.
Shfaqja e tij në formën digjitale dikur tregonte kohën në mënyrën e vet unike, duke numëruar orët, minutat dhe sekondat. Të Shtunën Metronome filloj të shfaqet me një mision të ri të ndjeshëm ekologjikisht.
Ideja e dy artistëve Gan Golan dhe Andrew Boyd, po jetësohet duke u shfaqur publikisht, në mënyrë që të parandalojnë që efektet e ngrohjes globale të bëhen të pakthyeshme.
Të Shtunën në 3:20 pasdite, në ekran filluan të shfaqen mesazhet si “Toka ka një afat”. Pastaj numrat – 7: 103: 15: 40: 07 – u shfaqën, duke përfaqësuar vitet, ditët, orët, minutat dhe sekondat deri në atë afat. Numrat e shfaqur janë të bazuar në llogaritjet nga Instituti i Kërkimeve Mercator në Global Commons dhe Ndryshimet Klimatike në Berlin.
“Ora e Klimës”, siç e quajnë të dy artistët projektin e tyre, do të shfaqet në ndërtesën e Rrugës së 14-të, One Union Square South, deri në 27 Shtator, në fund të Javës së Klimës.
Krijuesit thonë se qëllimi i tyre është të rregullojnë që ora të shfaqet përgjithmonë, atje ose diku tjetër. Artistët Golan dhe Boyd vendosën që Ora Klimatike do të kishte ndikimin më të madh nëse do të shfaqej në një hapësirë publike të dukshme dhe të paraqitej si një statujë ose një vepër arti.
“Ky është pa dyshim numri më i rëndësishëm në botë. Dhe një monument shpesh është mënyra se si një shoqëri tregon se çfarë është e rëndësishme, çfarë ajo ngre, çfarë është në fazën qendrore”, shprehet artisti dhe kreatori i kësaj ideje, Boyd.
Për të përshkruar projektin, Golan dhe Boyd kanë krijuar një faqe në internet, climateclock.world. Aty përfshihet një shpjegim për numrat e Climate Clock, duke përfshirë një lidhje me një raport nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës, organi i Kombeve të Bashkuara që vlerëson shkencën në lidhje me ndryshimin e klimës. / KultPlus.com