”Ora e Shkrimtarit” në Gjakovë me poetin Engjëll I Berisha   

19 Tetor, 2024 - 12:32 pm

PEN Qendra e Kosovës, në fund të kësaj jave, të premten, më 18 tetor 2024, mbajti aktivitetin e vet të radhës nga projekti “Ora e Shkrimtarit”, që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.  

Aktiviteti u zhvillua në Gjakovë, në ambientet e Bibliotekës Publike “Ibrahim Rugova” dhe ai iu kushtua poetit dhe publicistit, Engjëll I. Berisha.  

Poeti Sali Bashota duke e hapur këtë aktivitet letrar theksoi se “Gjakova ka dy shenja të përveçme që e simbolizojnë këtë institucion: emri i Bibliotekës ”Ibrahim Rugova” dhe salla e promovimeve të aktiviteteve letrare “Teki Dervishi”. 

Pasi i njoftoi të pranishmit me historikun e PEN Qendrës së Kosovës dhe me projektet që kjo organizatë shkrimtarësh ka realizuar dhe po vazhdon t’i realizojë gjatë këtij viti, Bashota përkujtoi rolin historik e kombëtar që ka pasur Gjakova me intelektualët e saj, në mënyrë të veçantë shkrimtarët dhe artistët, në zhvillimin e gjithëmbarshëm kulturor të kombit. Ai me këtë rast përmendi edhe pena të shquara letrare që kanë dalë nga ky qytet dhe përkujtoi edhe fusha të tjera ku artistët gjakovarë kanë lënë gjurmë krijimtarie në mbarë Kosovën dhe jashtë saj.  

Bashota pastaj foli për veprimtarinë letrare të poetit Engjëll I. Berisha. Duke e quajtur të veçantë e të rëndësishëm në brezin e tij krijues, Bashota për Engjëll I. Berishën tha se poezia e tij dallohet me figurën, ligjërimin dhe me porosinë që e bart. Bashota, pasi përmendi një varg veprash shkruar nga Berisha, veçoi veprat “Gjarpri në shishe”, “E diela e lutjes”, sidomos veprën poetike “Çati eshtrash” në të cilën Engjëlli i kthehet, me vargje, tragjedisë së familjes së tij gjatë luftës së fundit. 

“Liria është një motiv i përhershëm i Engjëllit”,  tha ndër të tjera, Sali Bashota.  

Të pranishmëve, që ishin të shumtë në Orën e poetit Engjël I. Berisha, pastaj iu drejtua kryetari Kuvendit Komunal të Gjakovës, Ardian Gjini.  

Gjini, pasi  ka përgëzuar punën që po bën PEN Qendra e Kosovës, përkujtoi angazhimin kulturor e artisitik të Engjëll I. Berishës. Veçoi siodmos punën e tij prej publicisti para dhe gjatë luftës dhe kontributin që po e jep tash e disa vite Engjelli në Bibliotekën Publike “Ibrahim Rugova”.  

Në vazhdim foli poeti Engjell I. Berisha, për të cilin edhe ishte organizuar takimi.  

Duke shpjeguar “Pse shkruan”, Engjëlli tha se “shkrimi reflekton ndjenjat dhe përvojat tona, për t’u lidhur me lexuesin. Për t’u rrëfyer, si një proces i lehtësimit të ngarkesës ideore, emocionale që mban në vetvete shkrimtari. Kjo vetvete është akumulim jo i vetëm ndjenjave, por edhe i përjetimeve, pse jo edhe i informacionit që ka, varësisht çfarë natyre të shkrimit bën autori. S’do mend se shkrimi bëhet për të ndarë mendime me lexuesin, për t’i dhënë lexuesit”.  

Duke vazhduar trajtimin e kësaj teme, Engjelli tregoi kështu pse shkruan: “E kam nisur me poezinë në vitet kur ngacmohesha nga leximi, vjersha për fëmijë, romane përtej moshës sime. Janë virtytet e jetës, atë që marrim në fillim tonë, prej të cilave formohemi e ndërtohemi, për ta dhanë pastaj në shkrim e në përcaktim mora e human.  Dashuria është indikatori i parë që ta nxjerrë shpërthimin, si zjarrmia kur e ke në trup, e donë t’u tregosh të tjerëve se po përvëlohesh brenda. Te poezia kërkohet kujdes më i veçantë te përdorimi i figurave stilistike që e interpretojnë kuptimin, për të qenë i kapshëm nga lexuesi, për ta ruajtur dramatiken, e që do të thotë shfaqja e veprimeve refleksive, sikur janë ndjenjat, apo efekte tjera”.

Duke zbërthyer artistikisht disa nga veprat e veta, Engjell I Berisha theksoi:    

“Dita me hënë e me nuse”, kap metaforën e ardhjes. Dita me hënë, në vitet e robërisë, natën e kishim më të lirë dhe nusja, liria, diçka e re, po vjen në dritën e hënës për ta sjellë të bukurën.   

Libër që shtrëngonte damarin, ta prodhonte metaforën frymëzuese. Frymëzi na duhej për të mbijetuar se po vjen ajo që donim. Durimi, motivimi, shtrëngimi rreth vetvetes, me njëri-tjetrin”.  

Më vonë, tha autori, erdhi vëllimi “Avenytë e Muzgut. Alegoria që ka secila poezi, te lexuesi e çon edhe kërkesën time, liberalizuese, frymuese. Pastaj, portretizimi individual del nga po ai univers. Kjo niset nga përshkrimi i lashtësisë, që poetika e lejon të bartet te gjenerata që vjen.   

Libri në vijim “Diaspora shqiptare”, nuk është vetëm gjeografi përshkruese e vendeve të bukura të Evropës, është klithma, vaji që bënin nënat duke përcjellë bijtë e tyre në mërgim. Është braktisja e vendit, e familjes, e dashurisë, e shkollimit. Janë reportazhe, rrëfime, ese, portretizime mërgimtarësh.  

Lufta e fundit në Kosovë, përfshiu edhe mendimin krijues. Luftë e robërisë me lirinë. E jetës me vdekjen. E kapluar e thellë fryma e njeriut në kërkim të demokracisë, me shpirtin e rënduar për t’u çliruar, u krijua veçori e shkrimit meditativ, për të shpërthyer pastaj me ardhjen e lirisë.  

Kritika po i klasifikon si poezi e luftës, edhe është në fakt, se i krijojë vetë lufta. Doli libri “Dyert e qiellit” dhe shumë shpejt “Çati eshtrash”. 

Poezia ma nxirrte vajin si te Mjeda. Lufta e fundit në Kosovë, shkatërroi shumëçka. U dogj shtëpia, u dogjën njerëzit e gjallë, vëllezërit e mi e shumë të tjerë. Eshtrat, pas vrasjes, djegies, mbetën për disa muaj në vend të çatisë. Kjo është lirika më e dhimbshme që më ka dalë prej shpirtit. Këta janë personazhet që ta krijojnë poezinë, narracionin, semantikën e figurën, prej të cilës e krijon veprën me çarjen e zemrës. Kam pa, se arti ndërtohet vetë, kur je përballë ngjarjes. Ky është arti natyral, pa pasur nevojë për imagjinatë”, tha Berisha i cili përfundoi se “të jesh i kënaqur me atë që ke dhe të kërkosh më shumë, janë dilemë e leximeve biblike, e psikologjisë së sotme dhe e kupton se gabimet e së kaluarës e determinojnë të sotmen. Por ja që gjërat ecin deri aty që lejon mundësia jote, që t’ është caktuar për rriskë dhe sa ke aftësi ti jetosh”.  

Në fund poezi të autorit lexuan nxënëset e Gjimnazit “Hajdar Dushi” Eltiona Muhadri, Arsa Saraçini, Aurela Thaçi dhe Albiona Muhadri ndërsa poetit iu shtruan edhe disa pyetje lidhur me krijimtarinë e tij./KultPlus.com

Të ngjajshme