6 Gusht, 2020 - 6:00 pm
ORCA thotë se e dënon emërimin në mënyrë jotransparente të anëtarit të ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë Binak Beqaj. Dje u raportua se Likaj, ka emëruar Binak Beqajn anëtar të KSHc-Së.
ORCA shprehet e shqetësuar me, siç thotë ajo, “komoditetin e Beqajt për të deklaruar në medie se është anëtar i AAK-së”.
“E po ashtu me komoditetin e ministrit plagjiator të Arsimit Ramë Likaj për të bërë emërime politike. Për më tepër, në vështrimin tonë të parë të punës shkencore të anëtarit të ri të KShC-së, del se është nën mesataren e profesorëve të Universitetit të Prishtinës”, thueht në reagimin e ORCA-s.
Në anën tjetër, thotë ORCA, “ministri plagjiator, përmes anëtarëve të vet në Këshillin Drejtues të UP-së e ka bllokuar procesin e zgjedhjes së rektorit pasi ka dështuar tentativa e parë për kapje të pozitës së rektorit përmes Zenun Halilit, i cili doli se ka konflikt interesi”.
“Kalendari i procesit për zgjedhjen e rektorit është anashkaluar për t’u orvatur që përmes Agjencisë Kundër Korrupsion apo në ndonjë formë tjetër, të prishet i tërë procesi ashtuqë Halili të zëvendësohet me një kandidat tjetër nga radhët e partisë së ministrit plagjiator. Ministri plagjiator nuk po ndalet dhe ka vazhduar me tentativën e radhës për kapje institucionale duke emëruar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë një anëtar tjetër të AAK-së në mënyrën më jotransparente, madje duke mos e shpallur vet emërimin, por duke u zbuluar nga mediet siç ndodh rëndom me klandestinime të tilla”, thotë ORCA.
Kësisoj ORCA i bën thirrje shoqërisë kosovare për mobilizim, në veçanti OJQ-ve dhe aktivistëve, që të ndalet degradimi i mëtejmë i arsimit.